AktualitetEkonomiTë fundit

Qukës-Qafë Plloçë; Këshilli teknik rrugor inspekton punimet

Antarët e Këshillit Teknik të Autoritetit Rrugor Shqiptar kanë zbritur në terren për të inspektuar kantierin e rrugës Qukës – Qafë Plloçë, loti 1 dhe loti 2, për të verifikuar ecurinë e punimeve të kryera në një projekt tejet të vështirë zbatimi për kontraktorët dhe inxhinierin e kantjerit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bën të ditur se, inspektimi i punimeve ka nisur me një mbledhje të organizuar në zyrat e kantierit dhe më pas ka vijuar me monitorimin e punimeve në terren, ku janë parë më nga afër ndryshimet që janë kërkuar nga ana e kontraktorëve dhe që pritej të dilnin në Këshill Teknik, në mënyrë të tillë që të anëtarët e Këshillit të jenë të gjithë të njohur me situatën aktuale dhe të marrin vendimet më të mira teknike sa i takon zhvillimit cilësor dhe në kohë të projektit.

Projekti i rrugës Qukës-Qafë Plloçë, pjesë e Korridorit të VIII, Tiranë-Korçë. Kjo rrugë, me rëndësi të veçantë për zhvillimin e vendit, bashkon Korçën dhe Tiranën, duke lidhur motorin kryesor të zhvillimit të vendit me polin lindor zhvillimor të saj. Rruga mundëson lidhjen e bizneseve dhe prodhuesve në zonat e Korçës, Pogradecit, Librazhdit dhe Elbasanit me tregjet e tjera kryesore të vendit.

Një impakt të rëndësishëm zbatimi i këtij projekti, ka në zhvillimin e turizmit, duke krijuar premisat për një zhvillim më të qëndrueshëm të zonës turistike rrotull liqenit të Pogradecit. Korridori rrugor do të shërbejë si një by-pass për qytetin e Pogradecit, duke forcuar potencialin turistik të tij, si një nga qendrat turistike të Shqipërisë juglindore, duke eliminuar ndotjen në zonën e liqenit dhe të qytetit, për shkak të tranzitimit të mjeteve të tonazhit të rëndë.

Projekti krijon përmirësime të dukshme të lëvizjes, duke bërë që distanca ndërmjet pikave të lidhura nga ky segment rrugor të shkurtohet me afro 8 km krahasuar me variantin ekzistues. Ndërkohë, shpejtësia mesatare e lëvizjes së mjeteve rritet për arsye të shmangies së trafikut të rënduar përgjatë qytetit të Pogradecit.
Segmenti rrugor me gjatësi 43.4 km së bashku me rrugën Tiranë-Elbasan, kanë një rëndësi të veçantë për ekonominë shqiptare, pasi ai do të sigurojë një lidhje më të shpejtë dhe komode midis Portit të Durrësit, portit kryesor të vendit sot, si një prej porteve më të rëndësishëm të Ballkanit për nga volumi i mallrave – dhe vendeve të tjera si Greqia, Turqia, Maqedonia, Bullgaria etj. Në këtë mënyrë, projekti e bën Shqipërinë vendin më të përshtatshëm për të kryer tranzitin nga vendet e Ballkanit drejt Europës dhe anasjelltas.

 

Fraksion.com