Kualifikueset e “Euro 2020”; Edy Reja grumbullon Kombëtaren kuqezi
Kombëtarja shqiptare nis këtë të martë grumbullimin për dy ndeshjet e radhës për kualifikueset e “Euro 2020”, atë me Islandën më 8 qershor dhe ndeshjen me Moldavinë më 11 qershor, në “Elbasan Arena”.
Në këtë listë përfshihen 10 futbollistë që sapo kanë përfunduar sezonet e tyre me klubet respektive, mes të cilëve figuron edhe emri i Bruno Telushit të Partizanit.
Këta futbollistë u grumbulluan jo vetëm për të ruajtur gjendjen e tyre fizike, por edhe për t’u vëzhguar nga pranë nga stafi teknik i skuadrës.
Por, trajneri Reja vendosi që të grumbullojë në këtë fazë paraprake të përgatitjeve edhe 12 lojtarë të skuadrës së U21-shit, që sapo kanë përfunduar sezonin e tyre dhe që janë edhe në listën e trajnerit Alban Bushi për sfidën zyrtare me Turqinë dhe dy miqësoret me Uellsin.