AktualitetPolitikëTë fundit

Holanda vlerëson arritjet e Shqipërisë: Presim rekomandimin pozitiv nga KE

Kryetarja e Parlamentit të Holandës, Khadija Arib vlerësoi arritjet e Shqipërisë në fushën e reformave dhe nënvizoi në mënyrë të veçantë arritjet në fushën e sundimit të ligjit.

Në kuadër të vizitës së tij në Holandë, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi u takua sot me kryetaren e Parlamentit të Holandës, Khadija Arib. Në takim ishin të pranishëm edhe kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla dhe kryetarja e grupit parlamentar demokrat dhe kryetare e Komisionit Parlamentar të Integrimit, Rudina Hajdari.

Ruçi e informoi kryetaren Arib mbi arritjet e Shqipërisë në pesë prioritetet kyçe të rekomanduara nga Këshilli Europian për hapjen e negociatave, duke u fokusuar në mënyrë të veçantë në arritjet e reformës në drejtësi, të cilën e vlerësoi si kryereforma e proceseve integruese, dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Kryetarja e Parlamentit të Holandës Arib vuri në dukje se Holanda dhe Shqipëria kanë marrëdhënie bashkëpunimi të konkretizuara në vizita të parlamentarëve holandezë në Shqipëri dhe parlamentarëve shqiptarë në Holandë.

“Holanda kërkon standarde të larta, sepse ato na çojnë përpara. Rritja e standardeve është e lidhur ngushtë edhe me interesat e Holandës për të shtuar investimet në Shqipëri. Shkëmbimet mes parlamentarëve kanë qenë intensive dhe ato do të shtohen në të ardhmen”, – siguroi ajo.

Në lidhje me hapjen e negociatave, Kryetarja Arib vuri në dukje se Parlamenti i Holandës pret publikimin e Raportit të Komisionit Europian si edhe të raporterëve të Komisionit parlamentar për Europën, të cilët ishin për vizitë në Shqipëri në fillim të majit.

Në kuadër të vizitës në Holandë, delegacioni shqiptar u takua edhe me zëvendës ministrin për Bashkëpunimin Europian në Ministrinë e Jashtme të Holandës, Thijs van der Plas.

Ata informuan në detaje mbi arritjet e Shqipërisë në prioritetet kyçe, sidomos në reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Po ashtu, folën edhe për domosdoshmërinë e rrugës europiane të Shqipërisë, rolin stabilizues dhe rolin kontribuues për paqen në rajon e më gjerë.

Zyrtari i lartë vuri në dukje se “qeveria holandeze është plotësisht e përkushtuar ndaj zgjerimit të BE-së, si një obligim moral, nevojë historike dhe në dobi të interesave të vetë BE-së”.

Përsa i përket Shqipërisë, theksoi ai, kam parë me sytë e mi progresin e jashtëzakonshëm dhe arritjet tuaja, sidomos në reformën në drejtësi, për të cilën kontribuojnë edhe ekspertët holandezë. “Holanda pret publikimin e Raportit të Komisionit Europian dhe shpreson në një qëndrim pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, – tha ai.