FRONTEX në Shqipëri/ Lleshaj: Roje nga 11 vende të BE, garanci për sigurinë
Operacioni i misionit FRONTEX në Shqipëri, shënon një moment shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet e Shqipërisë dhe BE-së, si dhe synon forcimin e sigurisë në kufi për ndalimin e migrantëve që synojnë të përdorin vendin tonë si tranzit për të kaluar në vendet e BE-së.
Kështu deklaroi sot ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në ceremoninë e fillimit të operacionit “First Joint Operation in the Western Balkan”.
“Që kur u krijua para 107 vjetësh shteti ynë lindi si një projekt shqiptar, por edhe europian, megjithë turbulencat e jashtëzakonshme historike, qasja pro europiane e shqiptarëve ka mbetur e pa prekur si një ndër karakteristikat e tyre më tipike. Edhe marrëveshja që do të zbatohet sot në terren është po aq tipike. Ajo është e para e këtij lloji që BE nënshkruan me një vend jo anëtar”-, nënvizoi Lleshaj.
Sipas tij,fillimi i zbatimit të marrëveshjes sot në prag të vendimmarrjes së BE për negociata e anëtarësimit të Shqipërisë i jep asaj një domethënie të veçantë .
“Marrëveshja statusore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe BE që u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë në 7 shkurt 2019 hyri në fuqi në 1 maj të këtij viti dhe sot fillon zbatimi në terren përmes këtij aksioni të përbashkët. Qëllimi i këtij operacioni të përbashkët mes Agjencisë Europiane për Kufirin dhe Rojën bregdetare e Policisë së Shtetit shënon një moment shumë të rëndësishëm edhe në marrëdhëniet e Shqipërisë dhe BE-së”,- theksoi Lleshaj duke shtuar se aksioni ka për qëllim rritjen e sigurisë në kufijtë tanë, por ai kontribuon edhe në zgjerimin e lirisë së lëvizjes së ligjshme mes tyre.
Sipas tij, çdo investim për më shumë siguri duhet të prodhojë edhe më shumë liri dhe liria e lëvizje mbetet një arritjet më të mëdha e cila duhet mirëmbajtur me përkushtim të përditshëm si ky që po fillojmë sot.
“Angazhimi në fazën e parë të operacionit nga 22 maji deri në 19 qershor i një numri të konsiderueshëm personeli dhe teknikës speciale nga 11 vende të BE shpreh rëndësinë e madhe që i kushtohet atij. Rojet e kufirit nga vendet e BE do të patrullojnë së bashku me rojet tona kufitare për ta rritur në një nivel më të lartë kontrollin e kufirit në të gjithë elementët e tij”, – tha Lleshaj.
“Personeli i shtuar i mbështetur nga teknikë moderne do të ndihmojë në vendosjen e standardeve të reja si në kontrollin e kufirit tonë të gjelbër edhe në funksionimin e pikave të kalimit kufitar. Kurba e rritjes së personave që hyjnë e dalin nga kufijtë e vendit tonë vijon të njohë një tendencë të pandalur rritjeje. Në harkun e 10 viteve të fundit numri i personave që kanë lëvizur në pikat tona kufitare është rritur nga 9 milionë në vitin 2008 në 23 milionë në fundin e 2018. Kjo rritje vijon të njëjtën tendencë edhe gjatë këtij viti”-,u shpreh Lleshaj.
Por,vijoi ai, përveç flukseve përherë në rritje të udhëtarëve të rregullt ku dominojnë turistët është shënuar edhe një rritje e numrit të migrantëve të parregullt që kanë tentuar ta përdorin Shqipërinë si një vend tranziti në përpjekjen e tyre drejt vendeve europiane.
“Në vitin 2018 ky numër u rrit mbi 6 herë krahasuar me 2017,ndërkohë që edhe gjatë këtij viti fenomeni ka vijuar të jetë prezentë. Përmes operacionit të përbashkët dhe FRONTEX ne synojmë të adresojmë shumë herë më mirë cështjet e migracionit të parregullt drejt Shqipërisë, por do të forcojmë edhe kapacitet tona në luftën kundër krimit ndërkufitar, do të rrisim bashkëpunimin me FRONTEX dhe me vendet anëtare të BE, të cilat marrin pjesë në operacion”-. tha Lleshaj.
Mbi të gjitha,shtoi ai, do të rrisim nivelin e bashkëpunimit reciprok mes policisë shqiptare dhe strukturave homologe europiane.
“Policia shqiptare është një nga më të voglat në rajon e më gjerë.Ne kemi rreth 320 punonjës policie për 100 mijë banorë shifër, kjo dukshëm më e ulët me vendet fqinje, por edhe me vendet e BE-së. Ky operacion kontribuon në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në një farë kompensimi të kapaciteteve të limituara të Policisë së Shtetit. Do të shërbejë edhe si një përvojë e mirë për të testuar mundësinë e zgjerimit të tij edhe në fusha të tjera ku prioritare mbetet lufta kundër krimit të organizuar”-,tha Lleshaj.
Fraksion.com