AktualitetSportTë fundit

Rikthimi i Francesco Tottit! Kapiteni legjendë pritet të bëhet drejtor teknik i Romës

Nga Bostoni në Londër, nga Parisi në Kopenhagen, Miami dhe Nju Jorku, por edhe kryeqyteti i Tunizisë. Si për habi, edhe mes tifozëve të Juventusit mbrëmjen e së dielës në “Allianz Stadium” pati parulla kundër drejtuesve të Romës.

Pakënaqësia ndaj tyre nuk po njeh kufij, e të mendosh se nga sot e deri të dielën, kur Claudio Ranieri do t’i japë mundësinë e fundit De Rossit të veshë fanellën verdhekuqe, jehona e koreve dhe ofendimeve ndaj krerëve të klubit roman nuk pritet të ndalet.

Megjithatë, pavarësisht emocioneve, drejtuesit e Romës kanë programuar prej kohësh ndryshimet në staf për sezonin e ardhshëm. Në pritje që drejtori sportiv Petrachi të gjejë akordin me Torinon për t’u çliruar nga impenjimet me ekipin roman, ndoshta duke nisur nga java e ardhshme do të vijë një emërim i bujshëm.

Po, pritet të jetë vet ai, kapiteni legjendar i Romës, Francesco Totti që do të marrë rolin e drejtorit teknik. Ky do të jetë një hap përpara në karrierën e një prej lojtarëve më të mirë të historisë së futbollit italian dhe për më tepër një besniku të vjetër të ngjyrave verdhekuqe, i cili do të ketë dorë të lirë si për përzgjedhjen e lojtarëve, edhe në raportin me trajnerin…që ai vet dëshiron.

Për fat të keq, Pallotta dhe drejtuesit e tij nuk do të mund të mbajnë bashkë dyshen e kapitenëve që kishin studiuar dhe menduar të mbanin në “Trigoria”, duke qenë se De Rossi nuk ka pranuar ofertën për të qenë zëvendës shef ekzekutiv i klubit.

Një detyrë e rëndësishme, për një karrierë të re në fillimet e saj, që do ta bënte atë të ishte përgjegjës për projektet më thelbësore të klubit dhe në kontakt të drejtpërdrejtë me Pallotën, edhe për shkak të anglishtes shumë të mirë të De Rossit, apo në përfaqësimet e Romës në selitë e institucioneve të ndryshme. Një tjetër mundësi ishte edhe posti i zëvendësit të trajnerit të ri në pankinë, por Daniele De Rossi ka zgjedhur të luajë të paktën edhe për një tjetër vit./tch

 

Fraksion.com