AktualitetOp-EdTë fundit

Rama po u tërhoq i jep fundin PS; Basha po s’hyri i jep fundin PD-së

Nga Ben Andoni

Ka një seri të drejtash në gjërat që artikulon sot Opozita, kuptohet duke lënë ato të cilat i kërkon me hekur e me zjarr dhe anatemën fyese. Padrejtësia sot është kudo. Ka veç një të drejtë themelore nga ana e maxhorancës, sot, që zgjedhjet të bëhen në afatin e duhur. Deri më tani, Kushtetuta është arnuar saqë të vjen siklet ta përmendësh, ashtu si kanë vepruar të dy palët me të, kur i është dashur të fitojnë avantazh në zgjedhje. Këtë herë duket se kryeministri Edi Rama duhet ta mbyllë mandatin, paçka se zgjedhjet e mëdha duken afër, kurse zgjedhjet vendore duhen bërë në kohën e duhur. Arsyeja është e thjeshtë: Opozita e sotme dhe ajo e nesërmja duhet të mësohen me rotacionin normal dhe me rregullat e lojës. Kurse njerëzit duhet të ndërgjegjësohen për zgjedhjet e tyre të tipit Nano, Berisha, Rama, Basha. Sa më shumë harrojmë aq më shumë e pësojmë.

Nëse Opozita nuk do futet në zgjedhje dhe gjasat duken të tilla, atëherë PD-ja dhe aleatët e saj do vuajnë shumë një zgjidhje, që u bë jo me logjikë por me emocion. Mund të artikulohen shumë gjëra ndaj maxhorancës, kundër të huajve dhe strukturave që monitorojnë zgjedhjet, por një gjë nuk mund të falet: Kontrata me njerëzit është për katër vjet. Nëse nuk e plotëson atëherë duhet të marrësh me vete pasojat.  Mjerë ti që e bën, më mjerë ata që të besojnë. Pasojat për opozitën do jenë realisht të mëdha, pikërisht dhe prej faktit që nuk po i përgjigjet lojës së thjeshtë të demokracisë. Mbi të gjitha nuk po përgatitet në kohën e duhur për ndryshimin.

Është e tepërt të besosh se Edi Rama do të vazhdojë më pas këtij mandati. Është për të ardhur keq zhgënjimi prej tij dhe sidomos gjuha e përdorur nga kryeministri shqiptar. Njeriu që pretendonte se do të ishte zëri i popullit dhe lideri i të Majtës, tregoi se mori një vend që nuk i takonte thjesht prej paradokseve të kohës dhe mënyrës sesi zgjidhen sot njerëzit. Veçse tërheqja e tij, shumë i përmendin shpesh ato, do të jetë vrastar për PS-në, që pas tij do t’i duhet kohë e gjatë të gjejë veten. Megjithatë ky moment do të jetë i pamëshirë jo vetëm për të por edhe për të gjithë të Majtën, që besoi se ky njeri ishte i duhuri për vendin. Njerëzit e thjeshtë të PS-së janë njësoj të zhgënjyer, paçka se tërheqja e Ramës në këto momente do t’i kthej shumë pas.

Zgjidhja e palëve është një: Të marrin pjesë në zgjidhje dhe në vend të merren me Borschardt dhe Vllahutin, të mësojnë sesi Shqipëria mund të jetë demokratike. Është e thjeshtë edhe pse palët e paraqesin sikur po bëjnë një mundim të stërmadh për të na përfaqësuar dhe sesi u dhemb për zgjedhjet. PD dhe LSI po dëmtojnë jashtëzakonisht veten, kurse PS-ja po bëri flirte do marrë rrugën që ka nisur opozita e sotme./Javanews

 

Fraksion.com