AktualitetKosovaTë fundit

Veseli dhe PDK; Distancimi nga Flora Brovina dhe fotografia porno

Ajo që bëri dje deputetja e PDK’së duke publikuar një fotografi në mesditë ku “ushtarët serbë dhunojnë një grua shqiptare” u kthy si bumerang në mbrëmje kur u bë e ditur se fotografia e kishte origjinë nga një faqe pornografike. Në orët e vona të së enjtes, Veseli dhe PDK nisën një fushatë për t’u distancuar nga akti i Brovinës duke e hedhur fajin tek agjenturat e huaja që kanë për qëllim ta njollosin idenë e Tribunalit.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, në seancën e mbajtur të enjten në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku po diskutohej për krijimin e një Tribunali që do të gjykojë krimet serbe në Kosovë, ka bërë publike një fotografi ku shihet një skenë dhunimi, për të cilën deputetja pretendon që të ketë ndodhur në luftën e fundit në Kosovë.

Pas publikimit ajo fotografi nxiti reagime të shumta. Dikush kërkoi që të hiqet nga mediat një pamje e tillë, e dikush kritikoi Flora Brovinën që e bëri publike atë, duke thënë se mund të rikthejë traumën tek të mbijetuarit e dhunës gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ndërkohë askush nga PDK’ja nuk kishte pasur asnjë reagim, duke shfrytëzuar kështu fotografinë e publikuar nga Brovina në shërbim të idesë së Kadri Veselit për krijimin e Tribunalit ku do të gjykohen serbët të cilët kanë kryer krime lufte në Kosovë gjatë viteve 90-ta.

Por gjithçka u shndërrua në një skandal edhe më të madh, kur fotografia të cilën e kishte prezantuar në Kuvend, deputetja e PDK’së, u gjet edhe në internet, si një skenë e një filmi porografik që dyshohet të jetë e inçizuar në Irak.

E pas këtij skandali, kreu i PDK’së, Kadri Veseli, u distancua ndërmori një operacion distancimi nga veprimi i Flora Brovinës, duke thënë se nuk ishte koordinuar fare me partinë e saj para se ta bënte publike fotografinë, dhe se veprimi i saj ishte individual.

Veseli madje thoshte që as vetë nuk e di nëse fotografia e prezantuar është një skenë dhunimi që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë, duke shtuar se me vërtetimin e saj do të merret Agjencia Kosova e Inteligjencës (AKI).

Ndërkohë në një paraqitje tjetër televizive më të vonë, Veseli ka thënë se s’ka qenë fare në dijeni që Brovina do të bënte publike atë fotografi në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Nuk e di nëse fotografitë janë të vërteta apo nuk janë. Kjo është një çështje. Por ajo që e di unë është që gjenocidi serb ka ndodh në Kosovë. Të dy deputetet zonja Brovina dhe Bogujevci, kanë kaluar në për një situatë të rëndë. Por ne do të shkojmë deri në fund, kjo që ka qenë sonte ka qenë e rëndë. Është e rëndë, është shqetësuese, por kjo nuk guxon të na dezorientojë nga qëllimi i cili është i yni, ngritja e Tribunalit Ndërkombëtarë për gjenocidin serb. Edhe për mua kanë qenë të papritura qoftë foto, qoftë deklarimet. Fare, fare, të jem shumë i sinqertë [nuk kam qenë në dijeni]. Gjatë seancës kur ka filluar, kemi pasur një shkëmbim. Kam kërkuar që në asnjë mënyrë që të mos vendoset foto e dikujt për të lënduar. Por gjenocidi ka ndodhur në Kosovë, pavarësisht a janë të vërteta ato foto apo jo”, ka thënë Veseli.

Ndërkohë i pyetur se si është e mundur që si kryetar i PDK’së të mos jetë në dijeni se një deputetet e partisë së tij do të publikojë një fotografi të tillë, kreu i PDK’së është munduar të distancohet i gjithë skandali, duke thënë se deputetet e kanë një lloj pavarësie për veprimet e tyre.

“Zakonisht deputetët e kanë një lloj pavarësie. Dhe bëjnë veprime në momentin e tyre emocional. E shoh edhe tek zonja Brovina. I kam telefonuar edhe bartësit e institucioneve të drejtësisë”, është shprehur Veseli.

Sipas tij e gjithë kjo ngjanë me një luftë speciale, që dëshiron të ndal krijimin e Tribunalit për krimet serbe.

“E rëndë e rëndë ta them këtë, edhe pse dukjen e ka të një bombe të luftës speciale, për të shkatërruar një mision. Por nuk do të mund të na ndalin. Duhet të jetë një mësim nga ky pësim shumë i rëndë. Sepse në foltore duhet mbajtur përgjegjësi për ato që thua”, ka thënë ndër të tjera ai, duke paralajmëruar se do të mbart përgjegjësi, raporton Gazeta Express.

Ai për të distancuar plotësisht veten dhe partinë nga një skandal i tillë, thotë se veprimi i Flora Brovinës është individual, dhe është bërë jashtë foltores së Kuvendit.

Madje ka përmendur se përgjegjësinë për ato që thuhen në Kuvend, e mbanë përgjegjësinë deputeti/ja dhe jo Kuvendi.

Këto deklarime ai i ka bërë kur është pyetur nëse nga ky skandal me fotografinë e dhunimit, Kosova ka dëshmuar që ka dështuar që të jetë një shtet serioz.

“ Jo jo, ska dështuar Kosova. Sepse akti është individual. Dhe publikimi i fotografisë është bërë brenda Kuvendit, por jashtë foltores së Kuvendit”, është shprehur kreu i PDK’së.

Përveç Veseli, kanë reaguar edhe anëtarë të tjerë të PDK’së, të cilët kanë kërkuar edhe dorëheqjen e Brovinës.

Ka qenë anëtari i kësaj partie, Arben Geci, i cili e ka kërkuar një gjë të tillë, duke thënë se veprimi i saj ka qenë i pa koordinuar me grupin parlamentar të PDK’së dhe se veprimi i saj ka qenë plotësisht manipulativ.

“Partia politike duhet të ketë organe, sistem dhe para e gjithash planifikim të veprimeve deri ne detaje, e sidomos ne Kuvend”, ka shkruar ai. Veprimi i deputetes sot, pa paralajmerim ne mbledhje te grupit parlamentar, spontan dhe plotësisht manipulativ ka shkatrruar shume. Po ashtu, grupi parlamentar i partise duhet me marrë përgjegjesinë. Sot kemi ra në provim, edhe atë me pjesen me te ndiejshme te vendit tonë. Sot u dhunuan edhe njeher te gjitha viktimat, familjaret dhe mbijetuarit.Deputetja Brovina qe sonte duhet te dorëhiqet. Partia Demokratike duhet te reflektojë, sonte te kerkoje falje dhe te ketë shumë kujdes”, ka shtuar ai.

Ndërkohë sot pritet që institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës të kontaktojnë deputeten e PDK’së, Flora Brovina, rreth gjithë skandalit të ndodhur dje, që do të ketë konsekuenca të pariparueshme për shtetine  Kosovës.

 

Fraksion.com