PD kërkon vende në komisionet zgjedhore
Drejtues të lartë të Partisë Demokratike të opozitës pohuan të enjten se ata kanë porositur degët e tyre nëpër qytete, që të propozojnë anëtarë të opozitës në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor, (KZAZ), edhe pse kjo parti nuk ka regjistruar kandidatë për zgjedhjet vendore.
Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka dhe sekretari i përgjithshëm i saj, Gazment Bardhi, i deklaruan mediave vendore se kanë porositur degët që të propozojnë anëtarë nëpër KZAZ, sepse po manipulohet rëndë procesi zgjedhor, duke nisur me regjistrim të paligjshëm të kandidatëve për kryetar bashkie.
Partia Demokratike nuk ka regjistruar kandidatë për zgjedhjet bashkiake të 30 qershorit dhe afati ligjor për këtë ka kaluar.
Përfaqësues të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë, që një bashkim vullnetar qytetarësh që mbikëqyrin procesin zgjedhor, pohuan se krahas skadimit të afatit ligjor për regjistrim kandidatësh, ka skaduar edhe afati tjetër ligjor që partitë parlamentare të propozojnë emra të komisionerëve të tyre nëpër KZAZ.
“Pasi opozita nuk dërgoi emra komisionerësh, KQZ shpalli vendet bosh dhe deri tani janë paraqitur 490 kërkesa qytetarësh për t’u kryer detyrën e komisionerit, nga të cilët 90 emra janë miratuar. Afati për regjistrim komisionerësh në KZAZ ka skaduar, por është ende në fuqi afati ligjor për të dërguar emrat e komisionerëve në KQV”, tha Gerta Meta, drejtuese e Shoqatës për Kulturë Demokratike dhe pjesëtare e Koalicionit të Vëzhguesve Vendas.
Sipas saj, pikëpyetje e vërtetë për KQZ mbetet nëse do ta njohë ende PD-në si parti parlamentare tani që ajo ka dalë nga parlamenti dhe ka dorëzuar mandatet.
“Neni 29 pika 5 e Kodit Zgjedhor thotë që nëse partitë parlamentare nuk paraqesin kandidatura për KZAZ brenda afatit ligjor, kjo e drejtë u kalon partive të tjera parlamentare renditura sipas numrit të vendeve në parlament. Nëse edhe ata nuk propozojnë anëtarë, KQZ i emëron vet anëtarët e KZAZ-ve” – thekson Gerta Meta.
Por po aty Kodi Zgjedhor saktëson që këta anëtarë të emëruar nga KQZ-ja qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e anëtarëve të propozuar nga partitë politike, dhe ky zëvendësim mund të bëhet deri 30 ditë para zgjedhjeve.
Pra, sipas Metës, mbetet që KQZ të sqarojë nëse PD quhet apo jo ligjërisht parti parlamentare edhe pas djegies së mandateve të deputetëve dhe zëvendësimit të tyre me emra deputetësh nga e njëjta listë parlamentare e saj.
Paloka tha në TV ABC në mbrëmje se PD po e ndërmerr këtë hap me komisionerët, sepse socialistët me ndihmën e ndonjë partie të re po manipulon procesin zgjedhor.
“Zgjedhje më 30 qershor nuk do të ketë. Nëse Rama për kokëfortësi do të shkojë me këtë arrogancë, sigurisht që do të shkojmë në përballje. Për ne nuk ka tërheqje. Nuk ka zgjedhje pa opozitën” – tha nënkryetari i PD-së, Paloka.
“Po mendojmë të dërgojmë komisionerët tanë nëpër KZAZ, se kemi informacione që KZAZ-të e sajuara me anëtarët rilindas, plus ca rilindas pa tesër që kanë gjetur dhe kanë futur si të pavarur kanë filluar që tani manipulimet. Është i vetëm në zgjedhje, ka komisionin dhe e përdor për të manipuluar. I gënjeu mendja se do t’i linim vetëm të bënin ç’të donin. Do jemi aty për të kontrolluar çdo gjë, edhe manipulimet, që na i konfirmojnë se kanë ndodhur” – tha Paloka.
Zëdhënësja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Drilona Hoxha, tha se pranë KQZ ende nuk ka ardhur ndonjë kërkesë nga PD për të zënë vendet nëpër komisionet zgjedhore të niveleve të ndryshme.
“Nëse kjo do të ndodhë, i mbetet KQZ-së të vlerësojë nëse do të pranojë kërkesën e tyre, pasi të shqyrtojë afatet ligjore” – tha Hoxha.
Partia Socialiste ka nisur përgatitjet për zgjedhjet vendore dhe është e vetmja parti e madhe, që paraqiti kandidatët e saj për bashkiakë, me vendosmërinë se zgjedhjet do të mbahen, pavarësisht mungesës së opozitës.
Opozita po zhvillon një seri protestash, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare, të organizuara nga një qeveri tranzitore.
Fraksion.com