AktualitetPolitikëTë fundit

Meta: Të gjithë t’i thërrasin mendjes; Shqipëria nuk ka pse të shkojë në konfrontim

Presidenti Ilir Meta në një deklaratë për mediat ka thënë se vendi nuk ka pse të shkojë në konfrontim dhe se të gjithë duhet të marrin përgjegjësitë e tyre.

“Të gjithë t’i thërrasin mendjes dhe të mos jenë egoistë. Shqipëria nuk ka pse të shkojë në konfrontim. Të gjithë të marrin përgjegjësitë e tyre. Askush nuk duhet t’i delegojë përgjegjësitë e tyre, aq më tepër presidentit të Republikës”, u shpreh Meta.

Gazetari: Zoti President, a rrezikon vendi të shkojë në përplasje civile në kohën që kriza politike po thellohet dhe palët politike janë ekstremisht të kundërta në qëndrimet e tyre?

Presidenti Meta: Mendoj që kjo situatë nuk duhet të ekzistonte kurrsesi pas 22 vjetësh, që kur Shqipëria u nda me vitin
1997, që ishte një vit mjaft fatkeq.

Të gjithë t’i thërrasin mendjes dhe të marrin përgjegjësitë e tyre, sepse për interesa tërësisht egoiste dhe okulte, Shqipëria nuk ka pse të shkojë në konfrontim dhe as shqiptarët me njëri-tjetrin. Ata kanë vendosur të bashkëjetojnë në mënyrë demokratike dhe janë ndarë me sistemet përjashtuese që në vitin 1990.

Gazetari: Zoti Meta, kush i ka këto interesa okulte për të cilat flisni ju?

Presidenti Meta: Nuk i kanë ata të cilët mezi po presin turizmin dhe shtimin e rezervimin dhe jo anulimin e rezervimeve.

Gazetari: Kryeministri thotë që Ju nuk i keni ftuar në një tryezë për të zgjidhur krizën politike. A do të ndërmerrni një hap të tillë në vijim? Ju keni thënë në mënyrë të vazhdueshme se edhe jo publikisht keni bërë ç’të mundeni për të shpëtuar krizën politike në vend…

Presidenti Meta: Askush nuk mund t’i transferojë përgjegjësitë te të tjerët aq më tepër te Presidenti i Republikës. Ata e dinë vetë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë dhe duhet të jenë të ndërgjegjshme për pasojat që do të kenë në rast se do ta çojnë vendin drejt konfrontimit.

 

Fraksion.com