AktualitetTë fundit

Xhaçka në lot për major Tanushin; Njerëz si Klodiani na bëjnë krenar!

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ka shpërthyer në lot, teksa i ka dhënë mesazhin e lamtumirës major Klodian Tanushit, i cili po përcillet sot për në banesën e fundit, pasi humbi jetën gjatë misionit të NATO-s në Letoni.

Ministrja Xhaçka ka mbajtur fjalimin e saj në homazhet në nder të majorit të rënë në Letoni Klodian Tanushi.

Të pranishëm në homazhe janë kryeministri Edi Rama, familja dhe kolegë të shumtë.

Xhaçka tha se ” Është e vështirë që këtë dhimbje ta përshkruash me fjalë, por nuk është e vështirë të gjesh fjalët për të shprehur përkushtimin, forcën, seriozitetin, profesionalizmin, trimërinë dhe shpirtin e sakrificës së ushtarakut model, major Klodian Tanushit, pasi jeta dhe vepra e tij flasin vetë’.

Fjala e plotë

Pak ditë më parë i dhamë lamtumirën e fundit nëntetares Zarife Hasanaj, për t’u prehur në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut. Fatkeqësisht, pak ditë më pas, dhimbja u shtua edhe më shumë.

Ndarja nga jeta e kolegut tonë, major Klodian Tanushit, komandantit të kontingjentit shqiptar në misionin e NATO-s në Letoni, bashkëshortit dhe prindit shembullor të tre fëmijëve është aq e rëndë dhe aq e trishtueshme, sa vështirë të gjesh fjalët e duhura për të qetësuar sadopak dhimbjen në zemrat e të gjithëve.

Edhe pse sot, nderimi ynë për Klodin është pa kufi, e dimë që nuk mund t’ia kthejmë atij të ardhmen, që u vra bashkë me të.

Edhe pse sot, mirënjohja dhe krenaria për të është pa kufi, përsëri nuk mund të zbusin zemrën e bërë gur të familjarëve dhe sidomos të tre fëmijëve të tij.

Nëkëtë dhimbje të përbashkët, jemi pranë familjes së major Tanushit, pranë babait,Basriut, nënës, Lumturijes, vëllait,Ergysit, bashkëshortes,Semihasë dhe pranëSerxhos, Klesios dhe Darlës, që humbën babain e tyre të dhimbsur e tëpërkushtuar, me premtimin se ata do të kenë tëgjithëpërkujdesjen tonë, sot e përherë që të rriten me ndjenjën e krenarisë për veprën e babait të tyre.

Është shumë e dhimbshme dhe e vështirë edhe për mua, që e kam njohur nga afër këtë ushtarak model dhe që shpresoja se do t’ia dilte mbanë në betejën e fortë që nisi me jetën; për veten e tij, për familjarët e të afërmit e tij, për të gjithë ju që po e nderoni sot këtu.

Por ai nuk ia doli, duke na lënë një boshllëk të madh bashkë me dhimbjen për humbjen e pakthyeshme.

Megjithatë, Klodi, na la të kuptojmë, se ai është nga ata njerëz të rrallë, për të cilët nuk pritet asnjëherë ikja, për të kuptuar se sa e rëndësishme ka qenë prania e tij mes nesh.

Është e vështirë që këtë dhimbje ta përshkruash me fjalë, por nuk është e vështirë të gjesh fjalët për të shprehur përkushtimin, forcën, seriozitetin, profesionalizmin, trimërinë dhe shpirtin e sakrificës së ushtarakut model, major Klodian Tanushit, pasi jeta dhe vepra e tij flasin vetë.

Klodiani zgjodhi t’i shërbente Forcave të Armatosura dhe vendit në një nga sektorët më të vështirë të saj, në strukturën e grupit special të asgjësimit të municioneve, aty ku rreziku për jetën përgjon nëçdo hap e nëçdo sekondë.

Zgjodhi të shërbente në këtë repart të vështirë, por me një mision shumë fisnik e human, për të shpëtuar jetë të tjera që rrezikohen nga mjetet shpërthyese. major Tanushi e përmbushi me nder këtë mision duke sakrifikuar edhe jetën e tij.

Janë njerëzit si Klodiani që na bëjnë të ndihemi krenarë që jemi pjesë e kësaj familjeje të madhe, që na mbushin me forcë dhe optimizëm dhe na bëjnë të ecim përparapër të përmbushur misionin tonë për paqe dhe siguri.

Në ceremoninë e 10-Vjetorit të NATO-s, të cilin e festuam pak kohë më parë, major Klodian Tanushi na dërgoi një mesazh urimi live nga Letonia. Në ato pak fjalë, që ai i shqiptoi me emocion, na la edhe amanetin e fundit:Mbi interesat vetjake, të vëmë interesat e mbarë shoqërisë.

Pikërisht, kjo e vërtetë na ka mbledhur sot të gjithëve këtu, për të përcjellë me nderime njeriun, që humbi jetën bashkë me të ardhmen e ëndrrat e tij, për paqen e sigurinë e të gjitha familjeve tona.

Duke nderuar Klodin, ne përulemi me respekt përpara një simboli të sakrificës.

Me ndjenjën më të sinqertë të respektit, dua t’u them prindërve të Klodit se djali juaj jetoi me gatishmërinë për të dhënë gjithçka, sepse ju i dhatë gjithçka.

Ai ishte në anën e çdo familjeje shqiptare, që kërkon siguri e qetësi, sepse ju i mësuat atij vlerën e nderit, të respektit dhe të detyrës.

Sot, ju prindër, vëllezër e motra, bashkëshorte e fëmijë të Klodit, jeni një familje dëshmori, që në breza do të krenohet me gjakun që dha për popullin e Shqipërisë nga gjaku juaj.

Sot, ju kolegë të Klodit, pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Republikës, ndjeni një detyrim më shumë për të treguar nën uniformën e trupës sonë, se jemi të gatshëm për të përmbushur me nder çdo mision që na besohet brenda dhe jashtë vendit, në shërbim të sigurisë, të lirisë e të paqes.

Sot, ne të gjithë, kemi një arsye më shumë, për të ecur më shpejt përpara dhe në drejtimin e duhur, që t’u japim fëmijëve të Shqipërisë një atdhe të denjë për gjakun e të rënëve në krye të detyrës.

Jeta jote Klodi ishte luftë. Betejën me jetën nuk e fitove, por fitove atë me përjetësinë.

Prehu në paqen e përjetshme Heroi ynë, Dëshmori ynë më i ri i Atdheut!

Fraksion.com