Sot ditë zie për major Klodian Tanushin; Shpallet “Dëshmor i Atdheut”
Këshilli i Ministrave nderon major Klodian Tanushin, i cili ra në krye të detyrës gjatë misionit të NATO në Letoni, duke e shpallur ditën e enjte, datë 16 maj 2019, ditë zie kombëtare. Në nder të major Tanushit, komandant i kontingjentit shqiptar në Letoni, ditën e enjte, në të gjitha institucionet publike e private, flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë.
Gjithashtu, Komisioni Qendror i Statutit “Dëshmor i Atdheut”, nën drejtimin e ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, e shpall major Klodian Tanushin, i rënë në krye të detyrës, “Dëshmor i Atdheut”.
Homazhet në nder të dëshmorit të atdheut, do të zhvillohen në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, nga ora 10:00-12:00.
Më pas, po në mjediset e Muzeut, do të mbahet ceremonia shtetërore në nder major Klodian Tanushit, përpara se arkivoli i mbuluar me flamurin kombëtar të vendoset në shtrat topi dhe të përcillet në Varrezat e Dëshmorëve.
Fraksion.com