Këshilli i Europës, 70 vite garant i demokracisë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut
Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati përfaqësoi Shqipërinë në Parlamentin Britanik, në seancën e zhvilluar në kuadër të 70-vjetorit të Këshillit të Europës.
“Këshilli i Europës në 70 vite garantoi standard demokratik dhe u bë mbrojtës i të drejtave të njeriut. Sot në Parlamentin Britanik në fokus është “Liria e medias dhe funksionimi i institucioneve demokratike”, tha Bushati.
Sot, tha ai, “media luan një rol vendimtar sa i takon ndërtimit të binarëve të një demokracie të mirëfilltë, madje mund ta cilësojmë edhe oksigjenin e demokracisë”.” Jo më kot sot media cilësohet si “pushteti i katërt” i një shteti, pas fuqive të legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit. Ajo ka rolin e një gjyqtari që vlerëson ose ndëshkon punën e institucioneve shtetrore, por gjithmonë duke mbajtur anën e popullit dhe duke ruajtur interesat e tyre”, tha Bushati.
Nuk duhet të harrojmë, vijoi Bushati, “që liria e medias dhe liria e fjalës zënë një vend të rëndësishëm në kriterin politik të Kopenhagenit për anëtarësim në BE”. “Garantimi i lirisë së shprehjes është kaq thelbësor për vendin tonë për të pasur një demokraci solide dhe të drejtë, njësoj siç është garantimi i së drejtës për një gjykim të lirë dhe të drejtë, të drejtës së pronësisë, të drejtës për përfaqësim të lirë dhe të ndershëm. Për një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian, respekti për lirinë e shprehjes dhe mediave është një tregues kyç i gatishmërisë dhe pjekurisë demokratike të vendit kandidat”, tha Bushati.
Sipas tij, “nuk ka asnjë rajon apo vend që të ketë arritur përsosmërinë në lidhje me lirinë e shprehjes dhe mediave”. “Ne po punojmë, si vendimmarrës dhe politikëbërës, me shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, për një kuptim të drejtë të lirisë së shprehjes dhe medias, si baza për pjesëmarrjen e qytetarëve në politikë, si themel i një shoqërie demokratike, si gur kilometrik në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, shtoi ai.
Fraksion.com