AktualitetPolitikëTë fundit

Gjonaj: Ndryshim rrënjësor në burgje dhe rritëm sigurinë

Në një interpelancë të thirrur në Kuvend nga deputeti Lefter Maliqi, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj u ndal te situata në të cilën ndodhet sistemi penitenciar në vend, si dhe masat që janë marrë për reformimin e këtij sistemi.

“Gjendja në të cilën e gjetëm sistemin penitenciar ishte e mjerueshme, ndërsa në më pak se 2 vjet kemi bërë një ndryshim rrënjësor dhe të vazhdueshëm duke e kthyer në një sistem të sigurt”, deklaroi  Gjonaj.

Gjonaj tha se “kemi ndërhyrë rrënjësisht në të gjithë sistemin, duke u fokusuar në respektimin e të drejtave të personave të dënuar dhe të paraburgosur, rritjen e sigurisë dhe uljen e korrupsionit”.

“Këto institucione hasen me vështirësi dhe sfida të mëdha pasi trajtojnë të dënuar me rrezikshmëri të lartë, grupe të strukturuara kriminale, persona të përfshirë në ekstremizëm apo terrorizëm, të mitur, gra, persona me probleme psikologjike apo nga familje me trauma familjare. Të gjitha këto duhet të përballem me të njëjtin kujdes bashkë me ruajtjen e sigurisë në këto institucione”, tha Gjonaj.

Gjonaj tha se “për herë të parë, në fillim të vitit 2018 ndryshoi tërësisht situata e rekrutimit të personelit policor dhe civil, sid eh për drejtuesit e Policisë së Burgjeve”. “Në momentin kur kam marrë detyrën, drejtorët ishin partiak, bënin ndere partiake e nuk kishin lidhje me administrimin, menaxhimin apo funksionimin e një institucioni të tillë. Listat e punësimeve bëheshin sipas deputetëve apo preferencave partiake. Ndërsa sot për më shumë se 1 vit, çdo rekrutim i punonjësve të burgjeve realizohet me një sistem standard nga Akademia e Sigurisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve”, tha Gjonaj.

Ajo tha se “tashmë në sistemin e burgjeve nuk ka më punësime partiake, por punojnë njerëz me integritet moral dhe profesional”.

Po ashtu, Gjonaj tha se “për herë të parë në 10 vitet e fundit është rritur paga e punonjësve të Policisë së Burgjeve me 7%”. “3431 punonjës përfituan rritje rroge me një fond prej 84 milionë lekësh”, tha ajo.

Përsa i takon transferimit në Policinë e Burgjeve, Gjonaj nënvizoi urdhrin që asnjë punonjës nuk duhet të punojë më larg se 45 km nga vendbanimi i tij.

Po ashtu, ajo theksoi se “pas 10 vitesh, në vitin 2018 u mundësua për herë të parë pajisja me uniformë e Policisë së Burgjeve”.

“Kryem procesin e verifikimit për stafin e Policisë së Burgjeve ku rezultoi një numër i konsiderueshëm i stafit të burgjeve që ishin punësuar në mospërputhje me kriteret e vendeve të punës. 131 persona kishin rekorde penale ndaj ata u shkarkuan nga detyra, ndërsa të tjerët që ishin në papajtueshmëri me kriteret e vendit të punës, u transferuan”, tha Gjonaj.

Ministrja u ndal edhe te përmirësimet në infrastrukturën e IEPV-ve, gjë që sipas saj solli në evitimin e fenomenit të mbipopullimit në burgje.

“Nga 27% që rezultonte mbipopullimi në burgje në vitin 2017, kemi reduktimin në 3% në vitin 2018 dhe sot mbipopullimi është 0%. Këtë frymëmarrje e bëri të mundur hapja e institucionit të ri në Shkodër, me 780 të dënuar dhe të paraburgosur”, tha Gjonaj.

Ministrja shtoi po ashtu se fondet për investime janë rritur me 18% për sistemin penitenciar, ndërkohë që po aplikohet bllokimi i valëve telefonike në kuadër të rritjes së sigurisë.

“Lufta kundër krimit, trafiqeve e terrorizmit është prioritet i qeverisëndaj dhe miratuam ndryshimet në ligj të njohura si “41 bis” të cilat parashikojnë masa të forta në sistemet penitenciare. Kemi ende shumë për të bërë në drejtim të sigurisë, trajtimit financiar të punonjësve dhe trajtimit të të dënuarve”, tha ministrja.

 

Fraksion.com