AktualitetBota+Të fundit

Trump: Marrëveshja tregtare SHBA-Kinë, kur të jetë koha e përshtatshme

Presidenti Donald Trump tha të martën se “kur të jetë koha e përshtatshme”, Shtetet e Bashkuara do të bien dakord për një marrëveshje të re tregtare me Kinën, por jo pa kufizimin më parë nga Uashingtoni të deficitit tregtar të vitit të kaluar prej 419 miliardë dollarësh me Pekinin. “Kina blen shumë më pak prej nesh sesa ne blejmë prej tyre,” tha zoti Trump në një koment në Twitter mbi problemet ekonomike që kanë lindur nga tarifat e imponuara ndaj eksporteve të njëri-tjetrit nga dy ekonomitë.

“Respekti dhe miqësia ime me Presidentin Xi (Jinping) është pafund, por siç e kam thënë shumë herë më parë, kjo duhet të jetë një marrëveshje me përfitime për Shtetet e Bashkuara, ose në të kundërt nuk ka kuptim”, – tha zoti Trump.

Pekini dhe Uashingtoni kanë negociuar për muaj me radhë për një marrëveshje tregtare, por të premten i përfunduan bisedimet në Uashington pa arritur një marrëveshje.

Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara ndodhen “në një pozicion shumë më të mirë se sa do të ishin ndodhur me çdo marrëveshjeje ” dhe përsëriti idenë se nën drejtimin e tij vendet e tjera nuk do të “përfitojnë” nga Shtetet e Bashkuara kur bëhet fjalë për tregtinë.

Presidenti Trump mbron tarifat ndaj Kinës

Presidenti amerikan Donald Trump tha të hënën se tarifat amerikane ndaj Kinës sjellin miliarda dollarë fitime për Shtetet e Bashkuara. Ai u shpreh se tarifat hakmarrëse të Kinës nuk mund të kenë ndikim ndaj ekonomisë amerikane. Shkallëzimi i luftës tregtare Amerikë-Kinë çoi në rënien e tregjeve të aksioneve një ditë më parë, ku Dow Jones pësoi rënie me më shumë se 600 pikë ose 2.3 për qind. Më herët, Kina njoftoi tarifa të reja deri në 25 për qind për rreth 60 miliardë dollarë mallra amerikane duke filluar më 1 qershor. Shtetet e Bashkuara vëndosën tarifa prej 25 për qind ndaj 200 miliardë dollarë të mallrave të importit nga Kina.

Kina ka rritur tarifat për më shumë se 5 mijë produkte amerikane, përfshi mishin, shumë lloje perimesh, lëngje frutash, vaj gatimi, çaj dhe kafe. Presidenti amerikan premtoi të hënën se humbjet e fermerëve amerikanë do të kompensohen nga tarifat ndaj mallrave kineze.

“Do të marrim vitin më të mirë, blerjet më të mëdha që ka bërë ndonjëherë Kina nga fermerët tanë, që është rreth 15 miliardë dollarë dhe do të bëjmë diçka reciproke për fermerët tanë, që ata të kenë përfitime. Fermerët do të jenë në gjendje të shesin prodhimet me çmim më të ulët dhe të kenë të njëjtat përfitime deri sa të zgjidhet kjo çështje, në mënyrë që të jenë të kënaqur. Manifaktura do të jetë e kënaqur dhe qeveria do të jetë e kënaqur sepse ne jemi duke vjelur dhjetëra miliarda dollarë.”

Zoti Trump tha se Kina ka shumë më tepër për të humbur në luftën me taksat dhe tarifat me Shtetet e Bashkuara sepse eksporton më shumë. Një analist kinez, Gao Lingyun me Akademinë Kineze të Shkencave Sociale, thotë se tarifat do të dëmtojnë Shtetet e Bashkuara më shumë në një afat të gjatë.

“Në një periudhë afatshkurtër, Kina dhe Amerika do të ndajnë koston e tarifave. Por pas tre deri në gjashtë muaj, do të jenë tregtarët dhe konsumatorët amerikanë që do të paguajnë koston. Sipas përllogaritjeve tona, pjesa e kostos totale të kompanive kineze si rezultat i tarifave është vetëm 10 për qind, ndërsa Amerika ka një kosto prej 90 për qind ose më shumë.”

Sipas disa përllogaritjeve amerikane, tarifat ndaj mallrave kineze mund të rrisë shpenzimet e amerikane me 700 dollarë në vit ose më shumë për mallrat e konsumit. Sean Ding është bashkëthemelues dhe drejtues i lartë i firmës “GRisk”.

“Mënyra se si ai bën analizën e kostos dhe përfitimeve në termin e tarifave dhe tregtisë nuk ka fare kuptim ekonomik, spese patja e një defiçiti tregtar me Kinën, me rreth 400 miliard dollarë, nuk do të thotë se konsumatorët amerikanë nuk po përfitojnë.”

Zoti Trump tha se kostoja e tarifave mund të menjanohet duke prodhuar mallrat në vend ose blerjen e tyre nga vendet pa tarifa.

Tregjet financiare reaguan negativisht ndaj luftës së tarifave, por disa investorë si Jerry Braakman me firmën “First Amerikan Trust” thonë se nuk janë të shqetësuar, shkruan VOA.

“Natyrisht, termi afatshkurtër dhe madje afatmesëm mund të jenë të dhimbshme kur përpiqemi të përshtasim ekonominë tonë për një të ardhme më të mirë. Pra kur këto bëhen publike, padyshim që shohim shumë paqëndrueshmëri. Pastaj të gjithë shprehen rreth gjërave për të cilat po flasim në tremujorin e katërt.”

Megjithatë, ekonomistët pajtohen se një luftë e zgjatur tregtare nuk është e mirë për askënd. Ata u bëjnë thirrje të dy palëve që të zgjidhin bllokimin sa më shpejt që të jetë e mundur. Presidenti Trump tha se do të diskutojë tregtinë me homologun kinez Xi Jinping në samitin e ardhshëm të G-7. Ndërkohë, ai tha se Shtetet e Bashkuara mund të vëndosin një tarifë tjetër prej 25 për qind ndaj importeve shtesë të mallrave kineze që kapin vlerën prej 325 miliard dollarësh.

 

Fraksion.com