Presidenti Trump kërkon dialog me Xi-në
Megjithë shkallëzimin e mosmarrëveshjes tregtare me Kinën, Presidenti amerikan njoftoi për një takim me homologun e tij kinez. Nëse ai do të vendosë dogana të reja mbi importet kineze, këtë Trumpi e ka lënë të hapur.
Negociatat me Kinën për zgjidhjen e mosmarrëveshjes doganore përfunduan së fundi në një rrugë pa krye. “95 për qind (të çështjeve) i patëm diskutuar “, tha Presidenti i SHBA. Pastaj negociatorëve të tij që patën shkuar në Pekin iu tha se ishte koha për të diskutuar sërish gjëra që tashmë ishin diskutuar plotësisht.
Qeveria e Trump i ngriti të premten tarifat e posaçme doganore për mallrat kineze me vlerë 200 miliardë dollarë, nga dhjetë për qind që ishin deri tani, në 25 për qind. Pas kësaj, të hënën, Ministria e Financave e Kinës njoftoi se do të vendoste që nga qershori për produktet e SHBA dogana shtesë në shumën prej 60 miliardë dollarësh.
Në lidhje me masat hakmarrëse të Republikës Popullore, Trumpi bëri të ditur se qeveria e tij dëshiron të paguajë një kompensim financiar për fermerët e SHBA. Fermerët përballen me vështirësi për tregtimin e produkteve të tyre, nëse Kina nuk importon produkte agrare bujqësore në të njëjtën masë si deri sot nga Shtetet e Bashkuara.
Banka Qendrore e SHBA (Fed) tha se i kishte të gjitha mjetet e nevojshme për t’iu përgjigjur në mënyrë të përshtatshme pasojave të mosmarrëveshjes doganore me Kinën. Këtu bën pjesë ulja e interesave bankare, po të ketë një ngadalësim të zhvillimit ekonomik, tha bankieri i Fed-it, Eric Rosengren. Por ai nuk beson se një hap i tillë është i domosdoshëm.
Frika e një lufte tregtare e fundosi Wall Streetin në fillim të javës. Indeksi Dow Jones u mbyll 2.4 për qind më i ulët – humbja më e lartë ditore që nga fillimi i janarit. Indeksi i bursës së teknologjisë Nasdaq madje humbi 3.4 për qind.
Në bursën e Frankfurtit, Dax-i të hënën ra me 1.5 përqind. Pas këtyre humbjeve të një dite më parë, të martën në Japoni, Indeksi-Nikkei-225 ra me 1.8 përqind në 15 minutat e para të tregtimit. Në Hong Kong, Hang Sengu ra me dy për qind. Shkëmbimet e bursave në Kinë ishin në minus të thellë. Indeksi orientues Kospi në Seul, i cili kishte rënë në nivelin më të ulët që prej janarit të hënën, ra fillimisht më tej, por më pas e mori veten.
Pasiguritë për shkak të mosmarrëveshjeve tregtare me SHBA po e dëmtojnë konjukturën globale, shkruan DW. Qeveria Federale gjermane dhe ekspertë kryesorë ekonomikë kanë ulur ndjeshëm parashikimin e tyre për rritjen ekonomike gjermane këtë vit. Kjo e rëndon ekonominë gjermane të orientuar nga eksporti.
Fraksion.com