AktualitetTë fundit

Mbërrin në atdhe trupi i major Tanushit

Trupi i pajetë i komandantit të kontingjentit shqiptar në Letoni, major Klodian Tanushi, i cili ra në krye të detyrës gjatë misionit të NATO mbërriti në atdhe.

Arkivoli me trupin e major Tanushit, i mbuluar me Flamurin Kombëtar, u transportua me avion ushtarak nga Letonia dhe shoqërohej nga kolegët e tij shqiptarë, kanadezë dhe letonezë të grup-batalionit të NATO.

Për të pritur trupin e major Tanushit, në aeroportin “Nënë Tereza” dolën ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, zëvendësministri Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, kolegë ushtarakë nga të gjitha komandat dhe forcat, si dhe familjarë të komandantit.

Pas pritjes me nderime dhe ceremoni ushtarake në aeroport, trupi i pajetë i major Tanushit u dërgua për në banesën e tij, për të vijuar me ritet tradicionale familjare.

Homazhet për major Tanushin dhe më pas ceremonia shtetërore, do të zhvillohen ditën e enjte në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar nga ora 10:00 – 12:30.

Pas kryerjes së homazheve dhe ceremonisë shtetërore, major Tanushit do t’i jepet lamtumira e fundit në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku do të prehet përjetësisht.

Por kush ishte major Klodian Tanushi?

Major Klodian Nikolla TANUSHI lindur në Dibër më 31.10.1980, fëmija i pare i familjes Tanushi. I martuar dhe me tre fëmijë (dy djem dhe një vajzë) përkatësisht 14 vjeç, 11 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë.

Në vitin 1999 ka përfunduar shkollën e mesme profesionale “Nazmi Rushiti” në profilin “Motorist xhenerik”. Nga viti 2000 deri në vitin 2003 ka ndjekur studimet në Akademinë Ushtarake Skëndërbej. Ka kryer kurse funksionale EOD Niveli I-re “Për asgjesimin e municioneve me eksploziv”

Ka marrë pjesë ne kursin “EUFOR Mine Awareness Instructor Course”. Pas përfundimit të Akademisë është titulluar oficer dhe me urdhër nr.9628 datë 18.09.2003 ka marrë gradën e “Nëntogerit”. Në vitin 2006 ka marrë gradën e “Togerit”, në vitin 2010 ka marrë gradën e “Kapitenit” dhe në vitin 2017 ka marrë gradën e “Majorit”.

Gjatë karrierës së tij ushtarake ka kryer detyra si: Komandant Toge, Komandant Kompanie, Shef Seksioni, Specialist Operacionesh. Aktualisht me detyrë Komandant i Togës së pare të EOD.
Në 20.12.2018 është dërguar me mision në Operacionin Ushtarak të NATO-s në Riga, Letoni në përbërje të Grup-batalionit kanadez me detyrë Komandant i Kontigjentit shqiptar dhe përfaqësues i lartë ushtarak, me afat qëndrimi 6-mujor.

Gjatë karrierës së tij është vlerësuar me Medaljen e “Karrierës” nga Komandanti i Forces, Medaljen e “Shërbimit” nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Medalje shërbimi në Mision jashtë vendi si dhe Medaljen “Për pjesëmarrje në shërbime ndërkombëtare” nga Ministri i Mbrojtjes.

Fraksion.com