Hapja e negociatave, Hahn: Shqipëria duhet shpërblyer për Reformën në Drejtësi
Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Europian, Johannes Hahn tha se Reforma në Drejtësi në Shqipëri është diçka që duhet të shpërblehet. Në një intervistë për radion “Europa e Lirë”, Hahn tha se pret që BE-ja të vendosë para verës nëse do t’i hapë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
I pyetur nëse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të nisin negociatat e pranimit, Hahn theksoi se së pari, duhet drita jeshile për të nisur përgatitjet përfundimtare të negociatave dhe pastaj është një procedurë me bazë meritën.
“Po mundohem të bëj më të mirën për ta arritur këtë qëllim. Së pari, kemi nevojë për dritë jeshile që të nisim përgatitjet përfundimtare të negociatave dhe pastaj është një procedurë me bazë meritën. Dhe sigurisht që na duhet pëlqimi i shteteve tona anëtare. Po bëj çmos për ta arritur këtë”, tha ai.
I pyetur nëse negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të hapen në tetor, dhe jo në qershor, Hahn theksoi se ka disa diskutime, por ai vetë është përqendruar për të siguruar një vendim para verës.
“Ka disa diskutime, por unë jam i përqendruar për të siguruar një vendim para verës, sepse ky ishte gjithmonë qëllimi ynë. Ne do ta paraqesim raportin tonë vjetor për dy javë, ku me siguri do të japim një rekomandim pozitiv për të dyja vendet. Natyrisht ka gjithmonë disa punë që duhet të bëhen. Por unë mendoj, sidomos kur është fjala për Maqedoninë e Veriut, se duhet të pranojmë përparimin e madh që ky vend ka bërë në tejkalimin e konflikteve dypalëshe, që është parakusht për anëtarësimin e ardhshëm në BE.
Gjithashtu, Reforma në Drejtësi në Shqipëri është diçka që duhet të shpërblehet. Pra, në këtë drejtim, mendoj se kjo vlerësohet në mënyrë pozitive nga shtetet tona anëtare”, theksoi ai.
I pyetur për një qëndrim të Holandës për rivendosje vizash me Shqipërinë, Hahn tha se nuk ka asnjë të dhënë për ndonjë nismë të tillë.
“Ekzistojnë këto kontrolle të rregullta për numrin e atyre që ne i quajmë azilkërkues të pafinancuar. Unë mendoj se këto shifra, në krahasim me numrin e përgjithshëm të njerëzve që udhëtojnë në këtë vend, janë shumë të vogla. Sidoqoftë, është diçka që e kam diskutuar vazhdimisht me partnerët e mi në Shqipëri dhe në disa vende të tjera. Kjo duhet të trajtohet tërësisht nga autoritetet shqiptare që do të thotë se ato duhet të komunikojnë, të informojnë njerëzit se të gjitha këto nisma janë pa ndonjë mundësi për t’u konfirmuar pozitivisht nga këto vende. Por nuk kam asnjë indikacion se ka nisma nga shtetet anëtare për të pezulluar liberalizimin e vizave për shembull me Shqipërinë”, theksoi ai.
Fraksion.com