Rama injoron kryetaren e LSI: Për Kryemadhin kam vetëm mospërgjigje
Teksa kryeministri Edi Rama i bën thirrje Partisë Demokratike për t’u ulur në dialog, duket se për LSI dhe lideren e saj Monika Kryemadhi nuk ka të njëjtën ftesë. Gjatë konferencës me gazetarët, ai u pyet nëse do e ndërronte këtë të fundit me liderin demokrat duke iu referuar marrëveshjes së 17 Majit. Kryeministri u tregua i prerë se përgjigja më e mirë për Kryemadhin është mospërgjigjja.
“Përgjigjja më e mirë për zonjën Kryemadhi është mospërgjigjja. Nuk kam asnjë përgjigje për Monika Kryemadhin”, u shpreh Rama.
I pyetur nëse a do të ketë ndonjë hapësirë dialogu për të mundësuar regjistrimin e kandidatëve të tjerë për kryebashkiakë për në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, afat që përfundoi në mesnatë, kryeministri Rama tha se është e drejta e opozitës për të marrë ose jo pjesë në garën elektorale, dhe se ai do të vazhdojë para me procesin zgjedhor.
“Meqë s’ka kandidatë në të gjtiha bashkitë do fokusohemi tek bashkitë që ka kandidatë kundërshtarë. Zgjedhjet janë një ankand politik për të dhënë ofertat dhe garanton të drejtën për të zgjedhur. Nuk janë thirrje për ushtarë. Një ankand ku garantohet e drejta për tu zgjedhur. Nëse thoni që pengohet e drejta për tu zgjedhur, atëherë ta adresojmë këtë. Nuk më kërkohet dot mua si kryeministër që përfaqësoj një palë që të zgjidh problemin se si futen në zgjedhje ata që refuzojnë të futen në zgjedhje, është e drejta e tyre”, tha kryeministri.
Fraksion.com