AktualitetPolitikëTë fundit

OSBE dënon dhunën gjatë protestave të opozitës në Tiranë

Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) dënoi të hënën me forcë dhunën e ushtruar nga protestuesit në kryeqytetin shqiptar gjatë fundjavës.

Në një deklaratë të përbashkët të Kryetarit të Radhës së OSBE-sëdhe Ministër i Jashtëm i Sllovakisë Miroslav Lajcak, të Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së Thomas Greminger, të Presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së George Tsereteli dhe të Sekretarit të Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Roberto Montella, thuhet se trazirat nuk mund të zëvendësojnë angazhimin politik demokratik.

Zyrtarët e lartë të OSBE-së dënojnë gjithashtu me forcë edhe kërcënimet dhe përpjekjet për frikësim ndaj Kreut të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, si dhe ndaj OSBE-së në përgjithësi. Deklarata u bën gjithashtu thirrje forcave të policisë që të tregojnë vetëpërmbajtje.

Drejtuesit e OSBE-së thonë se një zgjatje e mëtejshme e krizës do të dëmtonte prioritetet e politikës së brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë. Ata shprehen se ka ardhur koha për krijimin e një platforme vendore të dialogut, ku do të përfshiheshin të gjitha palët, partitë politike, shoqëria civile dhe akademikët, për të dalë mbi dallimet dhe për të punuar së bashku për interesin më të mirë të Shqipërisë.

 

Fraksion.com