Nuk ka zgjidhje ushtarake për krizën në Libi; Stoltenberg bën thirrje për t’i dhënë fund luftimeve
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg u takua të hënën (13 maj 2019) me Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Libinë Ghassan Salamé në selinë e NATO-s për bisedime mbi gjendjen e sigurisë në Libi.
Sekretari i Përgjithshëm shprehu shqetësimin e thellë të Aleancës lidhur me situatën në Libi dhe theksoi se ai do të vazhdojë t’i nxisë të gjitha palët për t’i dhënë fund luftimeve dhe për t’u bashkuar përsëri me procesin politik, siç kërkohet nga Kombet e Bashkuara. Sekretari i Përgjithshëm më tej theksoi se konflikti aktual është duke rritur vuajtjet e popullit libian dhe duke vënë në rrezik jetën civile. Ai bëri të qartë se nuk ka zgjidhje ushtarake për situatën në Libi.
NATO mbështet plotësisht punën e Kombeve të Bashkuara në Libi dhe Sekretari i Përgjithshëm falënderoi Përfaqësuesin Special për punën e tij për të ndërmjetësuar një armëpushim dhe për të gjetur një zgjidhje politike për krizën. NATO do të vazhdojë t’i nxisë të gjitha palët në Libi dhe të gjithë anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare për të mbështetur procesin e udhëhequr nga OKB.
Sekretari i Përgjithshëm theksoi se NATO është e gatshme të ndihmojë Libinë për të ndërtuar institucione efektive të sigurisë, duke përfshirë një Ministri moderne të Mbrojtjes dhe shërbime efektive të sigurisë nën kontrollin civil të qeverisë. Kjo do të bëhet me kërkesën e qeverisë libiane dhe vetëm kur kushtet e sigurisë ta lejojnë atë.
Gjatë vizitës së tij, z. Salamé gjithashtu informoi Këshillin e Atlantikut të Veriut. Të gjithë aleatët përsëritën se nuk ka zgjidhje ushtarake për krizën aktuale në Libi. Ata gjithashtu përsëritën mbështetjen e tyre të plotë ndaj përpjekjeve të vazhdueshme të OKB-së në vend.
Fraksion.com