AktualitetPolitikëTë fundit

Ministri gjerman: Shqipëria meriton hapjen e negociatave

“Shqipëria ka avancuar shumë në rrugën e integrimit dhe meriton hapjen e negociatave”, deklaroi sot ministri gjerman i shtetit për Çështjet Europiane, Michael Roth.

Në një takim me ministrin në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Berlin, në kuadër të ruajtjes dhe konsolidimit të një komunikimi intensiv me autoritetet gjermane për procesin e integrimit, Roth vlerësoi ritmin e reformave dhe inkurajoi autoritetet shqiptare të vijojnë me punën e mirë që është bërë.

Ministri gjerman rikonfirmoi mbështetjen e Gjermanisë, e cila mbetet maksimalisht e angazhuar për perspektivën europiane të Shqipërisë dhe vlerësoi se për këtë, respektimi i institucioneve demokratike dhe kushtetuese është themelor.

Cakaj dhe Roth diskutuan për ecurinë e reformave në kuadër të procesit të integrimit dhe hapjes së negociatave.

Ministrat vlerësuan se vendimi për hapjen e negociatave është i rëndësisë strategjike jo vetëm për të shtuar ndërlidhjen institucionale, por edhe për BP në tërësi dhe se procesi i Berlinit duhet parë si instrument i integrimit europian.

Të dy ministrat konstatuan se Shqipëria ka arritur progresin e nevojshëm për hapjen e negociatave dhe se vendimi politik do të jetë i bazuar në raportin e Komisionit.