Haradinaj: Dialogu Kosovë-Serbi në duar të sigurta
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë tani është në duar të sigurta dhe se nuk flitet më për ndryshim të kufijve.
“Nuk mund t’i paragjykoj proceset me rëndësi. Tani procesi është në duar të sigurta, i është hequr nga duart zonjës Federica Mogherini (v.j. shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian). Nuk rrezikojmë ndonjë propozim për ndarje, ka një stabilitet dhe kjo është kryesorja”, tha Haradinaj në një konferencë për media në Prishtinë.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë tërhequr asnjëherë nga roli i tyre në proceset në Kosovë dhe, sipas tij, SHBA-ja “e di kur të marrë përgjegjësitë në proceset e caktuara”.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka ngecur tash e sa muaj, pasi Serbia e sheh si pengesë për këtë proces taksën 100% që Kosova u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia qysh në nëntor të vitit të kaluar.
Megjithatë, një nivel tjetër i dialogut ndërmjet liderëve institucionalë të të dyja vendeve pritet të zhvillohet më 1 korrik në Paris, nën lehtësimin e presidentit francez, Emanuel Macron, dhe kancelares gjermane, Angela Merkel.
Ideja për ndryshim kufijsh, ndërkaq, është shpalosur nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, si mundësi për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Por, ajo ka hasur në reagime për dhe kundër, si në qarqet e brendshme, ashtu edhe në ato ndërkombëtare.
Fraksion.com