BE paralajmëron për manipulime ruse në zgjedhjet evropiane
Referendumi për Brexitin, fushata elektorale në SHBA dhe tani zgjedhjet për Parlamentin Evropian? Për Komisaren e Drejtësisë Jourova kërkohet vigjilencë më e madhe për t’u përballur me Rusinë në “garën digjitale”.
Më pak se dy javë përpara zgjedhjeve evropiane, Komisionerja e Drejtësisë e BE, Vera Jourová paralajmëroi për rrezikun e manipulimit të zgjedhjeve, veçanërisht nga Rusia. “Ne nuk duhet të lejojmë që rezultatet e zgjedhjeve të falsifikohen me anë të manipulimeve qoftë edhe në një shtet të vetëm anëtar. Këto zgjedhje janë zgjedhje përcaktuese për Evropën”, u tha Jourová gazetave të Rrjetit Redaksional Gjermani (RND).
Fushatat e organizuara të dezinformimit nga bota e jashtme synojnë të konstatojnë polarizimet në shoqëri dhe t’i intensifikojnë ato, tha politikania çeke. “Kjo e bën të vështirë dallimin e tyre. Po përjetojmë një garë digjitale armatimi, Evropa duhet të përgatitet”.
“Task-Forca StratCom Lindore” në mbrojtje
Ndërkohë, me Stratcom-in Lindor ekziston një njësi e veçantë në Shërbimin e Jashtëm Evropian, i cili zbulon dezinformime nga Rusia, u shpreh më tej Jourová. Grupi i punës për “komunikimin strategjik ndaj Lindjes” (East StratCom Task Force) ka për detyrë vlerësimin e mediave ruse dhe të identifikojë mesazhet e manipuluara edhe në publikime të tjera. Lufta kundër fushatave të dezinformimit do të mbetet një çështje qendrore, “edhe pas zgjedhjeve evropiane”, theksoi Jourova.
Komisioni i BE është i shqetësuar që prej disa muajsh se Rusia mund të ndërhyjë në veçanti me anë të të ashtuquajturve “bots sociale”, pra të krijojë automatikisht kontribute në rrjetet sociale. Sipas ekspertëve, fushatat e dezinformimit mund të kenë ndikuar në debatin e referendumit para-Brexit në Mbretërinë e Bashkuar dhe në fushatën zgjedhore të vitit 2016 në SHBA.
Lituania paralajmëron për rrezikun e ndikimit rus
Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Linas Linkevicius gjithashtu paralajmëroi për rrezikun e ndikimit rus në këtë fushë. “Evropa duhet të jetë në gatishmëri”, tha Linkevicius për RND. Zgjedhjet evropiane janë një test, nëse mekanizmat e mbrojtjes kundër manipulimit të zgjedhjeve do të funksionojnë. “Ne nuk mund të jemi naivë: Moska po përpiqet të krijojë një gjendje të përhershme paqëndrueshmërie në BE dhe ta shfrytëzojë atë për interesat e veta. Këtë nuk duhet ta lejojmë”, tha Linkevicius.
Zyra e Mbrojtjes Kushtetuese nuk sheh përpjekje
Për Gjermaninë, Presidenti i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, Thomas Haldenwang nuk sheh përpjekje përkatëse të lëvizjeve antidemokratike. Shërbimi Informativ i Brendshëm e ka këtë parasysh në mënyrë të veçantë, por pas komunikimeve me partnerët evropianë aktualisht nuk e sheh këtë rrezik.
Fraksion.com