Pompeo niset drejt Brukselit para bisedimeve me Putinin në Rusi
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo pritet të arrijë në Bruksel të hënën, para se të niset drejt Rusisë, në vizitën e tij të parë si zyrtar i lartë amerikan, për të zhvilluar bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, në kohën kur ekzistojnë tensione në mes të Uashingtonit dhe Moskës.
Këto bisedime do të shënojnë diskutimet e nivelit më të lartë në mes të zyrtarëve amerikanë dhe atyre rusë, prej korrikut të vitit të kaluar, kur presidenti amerikan, Donald Trump dhe Putin janë takuar në Finlandë.
Në Bruksel, Pompeo do të takohet me zyrtarët evropianë për diskutuar rreth Iranit dhe çështjeve tjera.
Pompeo pritet të takohet me Putinin dhe ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov në Soçi më 14 maj, ka njoftuar Departamenti amerikan i Shtetit.
“Pika kyçe kur të diskutojmë politikën tonë ndaj Rusisë, që është të theksojmë se Rusia ka ndërmarrë një varg të hapave destabilizues dhe agresiv në rangun global”, ka thënë një zyrtar i Departamentit të Shtetit.
Ky zyrtar, duke folur në kushte anonimiteti, ka shtuar se takimi i Pompeos “është mundësi për t’i qartësuar këto pika me Qeverinë ruse dhe për t’i treguar pritshmëritë tona në të ardhmen”.
Kontrolli i armëve po ashtu pritet të jetë pikë e nxehtë e negociatave.
Në muajin shkurt, Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar pjesëmarrjen e tyre në Traktatin për Armët Bërthamore të vitit 1987, duke thënë se Rusia ka shkelur këtë marrëveshje duke zhvilluar sisteme raketore.
Moska ka mohuar këto pretendime dhe më pas ka vepruar njëjtë, duke u larguar edhe ajo nga marrëveshja.
Ai dokument u ka ndaluar SHBA-së dhe Rusisë, zhvillimin, prodhimin dhe pozicionimin e raketave me rreze nga 500 deri në 5,500 kilometra.
Trump ka biseduar me Putinin javën e kaluar përmes telefonit, për të diskutuar mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje të re për armët bërthamore që mund të përfshijë edhe Kinën.
Përndryshe, zyrtari amerikan ka thënë se në kuadër të bisedimeve mes Putinit dhe Pompeos do të përfshihet edhe kriza në Venezuelë, konflikti në Ukrainë, Siri dhe Iran, dhe gjithë zonat tjera ku Uashingtoni dhe Moska përkrahin palë të kundërta.
Para Pompeos, ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi pritet të takohet me Lavrovin në Soçi më 13 maj.
Fraksion.com