Ministrat evropianë shqyrtojnë mundësi për ruajtjen e marrëveshjes bërthamore me Iranin
Ministrat e Jashtëm të Britanisë, Francës dhe Gjermanisë pritet të takohen në Bruksel për të diskutuar rrugët për ruajtjen e marrëveshjes bërthamore, që ka nënshkruar Irani me fuqitë botërore.
Bisedimet e këtyre ministrave me shefen për Politikë të Jashtme në Bashkimin Evropian, Federica Mogherini vijnë pas Teherani ka bërë të ditur javën e kaluar se do të heqë dorë nga disa pika të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, nëse nuk mbrohen interesat e Iranit kundër sanksioneve amerikane.
Tensionet në mes të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë përshkallëzuar prej kur Uashingtoni është larguar një vit më parë nga kjo marrëveshje dhe ka rikthyer të disa sanksionet kundër këtij shteti.
Sipas marrëveshjes, Irani duhet të frenojë aktivitetin bërthamor në mënyrë që të lirohet nga sanksionet ndërkombëtare.
Mbështetësit evropianë të marrëveshjes kanë tentuar të ruajnë këtë dokument, mirëpo Teherani e ka cilësuar këtë proces shumë të ngadalshëm.
Para se të takohej me ministrat e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, Mogherini u ka thënë gazetarëve: “Ne do të vazhdojmë të mbështesim marrëveshjen aq sa mundemi me gjithë instrumentet dhe përkushtimin tonë politik”.
Bisedimet do të fokusohen në atë se si “të mbështetet zbatimi i plotë i marrëveshjes bërthamore”, ka thënë Mogherini.
Shtetet evropiane kanë thënë javën e kaluar se dëshirojnë ta ruajnë marrëveshjen bërthamore me Iranin mirëpo kanë kundërshtuar “ultimatumet” e Teheranit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo po ashtu pritet të takohet me zyrtarët evropianë në Brukel për të diskutuar rreth Iranit.
Pjesë e kësaj marrëveshjeje janë edhe Rusia dhe Kina.
Fraksion.com