AktualitetPolitikëTë fundit

“Bindja Demokratike” dhe ish-aleatët e PD regjistrojnë kandidatët për 30 Qershorin

Ditën e sotme është afati i fundit i regjistrimit të kandidatëve për kryetar bashkie dhe kanidatëve për këshillin bashkiak në KQZ. Sot janë regjistruar tre kandidatë nga Bindja Demokratike, një i pavarur dhe një i koalicionit “Shpresa për ndryshim”.

Në bashkinë e Shijakut, Partia Bindja Demokratike ka regjistruar si kandidat për zgjedhjet lokale të 30 qershorit Arben Pohumin.
Ndërsa për për dy bashki të tjera Bindja Demokratike e drejtuar nga Astrit Patozi ka regjistruar kandidatët Sabri Ibrahimi në Gramsh dhe Shkëlzen Qoka në Dibër.
Por në pritje të përfundimit të afatit të KQZ-së mesditën e sotme ka dorëzuar dokumentet për të kandiduar si i pavarur në bashkinë e Beratit Plarent Aleksi. PS-ja në Berat kandidon me Ervin Demon, ndërsa deri në mbrëmje nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe kandidatë të tjerë.
Nga ana tjetër Koalicioni “Shpresa për ndryshim” i cili kryesohet nga ‘Aleanca Kuq e Zi’ ka regjistruar sot në KQZ kandidatin e saj për kryetar bashkie për Prrenjasin. Kjo forcë politike ka propozuar Myslim Karriqin që të konkurrojë nga Aleanca Kuq e Zi pjesë e Koalicionit “Shpresa pēr Ndryshim ” në zgjedhjet e 30 Qershorit.
Ky koalicion përbëhet nga shtatë parti, dhe është i dyti i regjistruar pas “Aleancës për Shqipërinë Europiane”. Myslim Karriqi do ketë mbështetjen jo vetëm nga Partia Aleanca Kuq e Zi, por edhe nga Partia Bashkimi Liberal Demokrat;Partia Demokracia e Re Europiane;Partia Aleanca Popullore; Partia Balli Kombëtar;Partia e Emigracionit Shqiptar dhe Partia Ora e Shqipërisë, ish-aleatë të Bashës.

Fraksion.com