AktualitetBota+Të fundit

30 vjet pas tërheqjes sovjetike nga Afganistani

Këtë vit, Rusia shënon 30 vjet që kur trupat sovjetike u tërhoqën nga Afganistani. Fushata ushtarake nëntëvjeçare që shkaktoi vdekjen e afro 15 mijë usharëve sovjetikë, vazhdon të jetë edhe sot subjekt i një debati të nxehtë në shoqërinë ruse. Një film i ri i regjisorit rus Pavel Lungin, “Ikja nga Afganistani” që fillon të shfaqet më 10 maj dhe që ka në qendër ngjarjet e fundit të luftes sovjet-afgan, po i shton polemikat. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Igor Tsikhanenka bisedoi në Moskë me regjisorin e filmit dhe me kritikët që e akuzojnë atë se po njollos imazhin e Rusisë:

Pavel Lungin donte të bënte një film kundër luftës dhe të tregonte se sa pa kuptim dhe mizor ishte konflikti sovjeto-afgan.

Në përpjekje për ta realizuar këtë, ai ekspozoi plagë dhe ndasi të thella në shoqërinë e sotme ruse.

“Çuditërisht këto plagë mbeten të hapura, janë në pavetëdijen tonë. Dhe vazhdojnë të kalben atje”.

Filmi i fundit i regjisotit Lungin “Ikja nga Afganistani”, është kritikuar ashpër nga disa politikanë, organizata veteranësh dhe aktivistë në Rusi lidhur me portretizimin negativ të ushtrisë sovjetike që luftoi kundër muxhahedinëve. Skenat e plaçkitjeve, dehjeve dhe sherreve mes ushtarëve sovjetikë, thonë ata janë “anti-patriotike” dhe “të dëmshme për imazhin e Rusisë”.

“Gjëra të tilla veçse janë ofenduese për rininë, njerëzit që duhet të edukohen me frymën e përkushtimit ndaj vendit”, thotë Norat Ter-Grigoryants, ish-ushtar sovjetik në Afganistan.

“Ajo që shfaqet në film nuk është e vërteta. Ata nuk janë hajdutë, të dehur apo gjaknxehtë. Ishte një ushtri e disiplinuar”, thotë Sergey Komkov, redaktor i gazetës “Presidenti”.

Kritikët e filmit e quajnë regjisorin “spiun të perëndimit” dhe duan që t’i hiqet leja e lëshimit të tij me qera.

“Për disa njerëz me mentalitet sovjetik, çdo e vërtetë për shoqërinë e tyre është tradhëti; si të jetë një sekret ushtarak që duhet t’ua fshehim fëmijëve dhe të huajve”, thotë regjisori.

Disa shohin paralele mes luftës sovjetike në Afganistan dhe fushatave aktuale ushtarake të Rusisë.

Por kundërshtarët e tij mohojnë që Kremlini të ketë ambicje has imperialiste.

“Rusia nuk ka qenë ndonjëherë pushtues apo aggressor. Rusia nuk është pjesë e ndonjë aleance dhe nuk i zgjeron territoret e saj”, thotë Sergey Komkov, i gazetës “Presidenti”.

Për regjisorin, filmi është një shans për reflektim të brendshëm në shoqërinë ruse.

“Ne nuk kemi njç vlerësim etik të shoqërisë sonë. Qëndrimi është gjithmonë i njejti: Rusia ka gjithmonë të drejtë”.

Në një shfaqje private të filmit, shikuesit e mirëpresin analizën e ndërgjegjes.

“Askujt nuk i duhej ajo luftë. Ne nuk mundëm t’i përmbushnim objektivat tona dhe ndoshta ishte e pamundur gjithsesi”, thotë një shikuese nga Moska.

“Historianët thonë se ne bëmë dy gabime në Afganistan: i pari është që shkuam dhe i dyti që ikëm”, thotë një shikues tjetër.

Pushtimi nëntëvjeçar sovjetik i Afganistanit, që është quajtur nga ish-këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare, Zhbignjev Brezhinski “Vietnami i Bashkimit Sovjetik”, shkaktoi vdekjen e mijëra vetëve, ndërsa udhëheqësit e kanë quajtur atë heroik. Krijuesit e filmit mendojnë se ka ardhur koha për rivlerësim.

 

Fraksion.com