AktualitetPolitikëTë fundit

“Borchardt turp të kesh”, Cakaj: Kërcënohet familja e ambasadorit të OSBE-së; Akt kriminal

Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj ka publikuar një fotografi që sipas tij militantët e opozitës kanë kërcënuar ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Cakaj thekson se sulmi ndaj banesës së ambasadorit të OSBE-së është  primitiv dhe akt kriminal. Ministri i Jashtëm në detyrë e quan si hakmarrje primitive këtë gjest të opozitës.

“Mjaft është mjaft! Sulmi i mbrëmshëm ndaj shtëpisë të Ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri

Bernd Borchardt, pas deklaratës publike të OSBE kundër dhunës kriminale në protestën e djeshme,  përbën një tjetër akt të papranueshëm kriminal.  Veprimi është kryer në urdhra të qarta politike të krerëve të protestës me qëllim frikësimin e Ambasadorit Borchardt dhe familjes së tij,  si hakmarrje primitive e atyre që pasi kanë humbur kontrollin e vetes duan të nxjerrin nga kontrolli rendin kushtetues të Shqipërisë!

Ambasadori Borchardt vazhdimisht ka kryer punën e tij me profesionalizëm të plotë në kuadër të misionit të OSBE-së dhe faji i tij i vetëm është thirrja fisnike për frenim nga dhuna dhe distancim nga veprimtaria e dhunshme. Sulmi ndaj tij është sulm ndaj themeleve të kulturës demokratike, imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë dhe përpjekje e drejtpërdrejte për ta cenuar besueshmërinë e Shqipërisë për kryesimin e OSBE-së 2020. Kjo nuk është thjeshtë Shqipëria që duam: kjo nuk është kurrsesi as Shqipëria e tanishme.

Kjo është Shqipëria e një grupi rrugë-humburish politik dhe huliganësh kriminalë si ata që kryejnë akte dhune dhe që kanë dhunuar edhe banesën e ambasadorit

Për më shumë, kultura e liçimit masiv, diskreditimit tendencioz profesional dhe cenimit personal është krim në vetvete. Ndaj, secili person me përgjegjësi minimale shoqërore duhet menjëherë të distancohet nga sulmi kriminal ndaj Ambasadorit Borchardt dhe të dënojë veprimtarinë e dhunshme kundër Shqipërisë në përgjithësi”, shkruan Cakaj në postimin e tij.

Fraksion.com