BE dënon dhunën në protestën e opozitës
Delegacioni i Bashkimit europian në Tiranë dënoi sot dhunën e regjistruar mbrëmjen e djeshme gjatë protestës së opozitës në Tiranë. “Protesta paqësore është një vlerë thelbësore e një demokracie moderne evropiane. Dhuna nuk mund të tolerohet në asnjë rrethanë”, thekson deklarata. Sot drejtuesit e opozitës u mblodhën përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës për të kundërshtuar ndalimin dhe arrestimin e disa manifestuesve. Sipas Policisë janë 50 persona të arrestuar , për kryerjen e veprave penale “Kundershtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimit të pronës me zjarr” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”. Ndërsa 34 të tjerë që po procedohen në gjendje të lirë.
Policia bëri të ditur se janë 16 efektivë të saj të cilët janë plagosur “nga goditjet, kundërshtimet dhe përdorimi i lëndëve piroteknike, sendeve të forta dhe bombave Molotov”.
Nesër opozita ka thirrur një tjetër protest në Tiranë “për t’i dhënë goditjen përfundimtare Qeverisë së krimit”, siç u shpreh kryetari demokrat Lulzim Basha, në fjalën e tij mbajtur mes mbështetësve të opozitës përpara Dretorisë së Policisë. Në deklaratën e tij, Delegacioni i Bashkimit Evropian “u bën thirrje protestuesve dhe udhëheqësve të tyre politikë të tregojnë përgjegjësi dhe përmbajtje. Pikëpamjet e ndryshme politike duhet të trajtohen përmes debatit dhe dialogut”.
Gjatë mbrëmjes së djeshme, për situatën e krijuar reagoi dhe ambasada amerikane duke dënuar “dhunën e pranishme gjatë protestës së sotme. Objektivi i deklaruar i opozitës për ta bërë demokracinë e Shqipërisë më të fortë shkon kundër dhunës që është duke u ushtruar nga protestuesit. Dhuna është thelbësisht jodemokratike dhe duhet të ndalojë. Drejtuesit e protestës kanë përgjegjësinë të nxisin qetësi. Iu bëjmë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë vetëpërmbajtje”.
Fraksion.com