Rreziku që vjen nga Irani, SHBA forcon arsenalin ushtarak në Lindjen e Mesme
Ushtria amerikane po forcon arsenalin e saj ushtarak në Lindjen e Mesme për t’iu kundërpërgjigjur një sulmi potencial të Iranit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Pentagon Carla Babb sjell më shumë detaje rreth kërcënimit iranian dhe përgjigjes ushtarake amerikane.
Një demostrim force dhe një sinjal i qartë për Iranin nga forcat amerikane.
Sistemi i mbrojtjes raketore tokë-ajër “Patriot” dhe luftanija “USS Arlington” iu bashkuan katër bombarduesve B-52 si dhe një formacioni luftarak të përbërë nga aeroplanmbajtësen “Abraham Lincoln” si dhe destrojerë dhe anije luftarake, të cilat mbërritën të enjten në rajon.
Komandatët e ushtrisë amerikane kërkuan përforcime shtesë pas informacioneve të siguruara prej shërbimeve të zbulimit për kërcënim potencial që vjen nga Irani “si nga toka ashtu edhe nga deti”, kundër forcave amerikane në rajon.
“E rëndësishme është që Irani ta kuptojë se një sulm ndaj amerikanëve apo interesave të tyre do të marrë përgjigjen e duhur“, tha Patrick Shanahan, sekretari i Mbrojtjes në detyrë.
Sipas një zyrtari të lartë ushtarak amerikan, Garda Revolucionare Islamike Iraniane ka ngarkuar anije tregtare me “pajisje ushtarake për të futur raketa”.
Aeroplanmbajtësja “USS Arlington” ka kapacitete të përparuara komandimi që mundëson reagim të shpejtë të trupave amerikane ndaj një sulmi të mundshëm.
Sistemi mbrojtës raketor tokë-ajër Patriot mund të rrëzojë raketa balistike, raketa kruz si dhe avionët.
Zyrtarët thonë se Shtetet e Bashkuara nuk duan luftë, por do të mbrojnë forcat amerikane. Ata shtojnë se kërcënimi që vjen nga iraniani është “real dhe i besueshëm”.
Fraksion.com