Parada ushtarake e Serbisë mes Perëndimit dhe Lindjes
Nga Andrej Ivanji
Parada ushtarake serbe do të zhvillohej më 24 mars ditën e sulmeve ajrore të NATO-s. Megjithatë iu kushtua “ditës së fitores”, por jo plotësisht.
Nga pala zyrtare nuk mund të jepet asnjë shpjegim për shtyrjen e paradës ushtarake, por në fakt ajo është e besueshme dhe aspak qesharake, përveçse ndoshta për standardet humoristike të cirkut endacak Monty Python: Më 9 Maj presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić merrte pjesë në një konferencë rajonale në Tiranë, dhe kësisoj eventi qendror me rastin e ditës së fitores iu përshtat detyrimeve të tij.
Parada pas shtyrjes duhej të krijonte përshtypjen se është frymëzuar nga vlerat antifashiste europiane. Por ajo u shfaq si një demonstrim pushteti, e sforcuar për të shtrirë kultin e individit të kreut të shtetit dhe komandantit suprem. Prania e Vučić-it ishte më e rëndësishme se respekti ndaj historisë.
Bombardimet e NATO-s
Historia e re qendron si një ogur i keq ndaj Serbisë, vendit kandidat për në BE. Parada e madhe ushtarake fillimisht u planifikua për më 24 mars ditën e 20 vjetorit të bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë dhe Malit të Zi, që zgjatën gati tre muaj. Edhe për vet Serbinë, të cilën Perëndimi (ende)vazhdon ta shohë si në një dyjëzim mes dashurisë për Rusinë dhe Vladimir Putinit dhe afrimit pragmatik me BE, kjo do të ishte shumë, u paralajmërua nga Uashingtoni dhe Brukseli. Kjo mund të nënkuptohej si vringëllimë shpatash, të paktën si një provokim ndaj NATO-s, që nuk preferon të kujtohet për dyshimet ndaj arsyeve dhe rezultatit të sulmeve ajrore ndaj Serbisë. Vučić u tërhoq duke ia kushtuar paradën ushtarake ditës së fitores. OK, një ditë më pas ditës së fitores.
Shkas për paradën ishte po ashtu edhe 20 vjetori i fillimit të bombardimeve të NATO-s, kujton gazeta bulevardeske e afërt me qeverinë “Večernje novosti”. Për të qenë brenda në çdo rast, në mënyrë që kjo të bëhet edhe një herë e qartë.
Në shenjë të Rusisë
Parada ushtarake në Nish ishte një shembull lapidar për përpjekjet e udhëheqjes serbe për ta kapërcyer dyjëzimin politiko-historik, ku e ka futur ajo vendin. Nga njëra anë presidenti Vučić përbetohet se është prioritet i politikës së jashtme anëtarësimi i Serbisë, nga ana tjetër “yjet” e paradës në Nish ishin avionë luftarakë rusë MIG29, helikopterët ushtarakë MI-35 dhe tanket ruse T-72. Disa ishin blerë, të tjerë i janë dhuruar Serbisë nga Federata Ruse.
Gjithashtu mediet e kontrolluara serbe prej vitesh në mënyrë sistematike nxisin një frymë antiperëndimore, dhe kjo pranverë, kur përkujtohet 20 vjetori i “agresionit të NATO-s” dhe “krimet e luftës të NATO-s” në Serbi vjen si me porosi për këtë.
Nga ky këndvështrim NATO e ka bombarduar Serbinë vetëm për t’ua shkëputur serbëve Kosovën, djepin, zemrën e Serbisë. Serbia megjithatë, thuhet në Beograd, asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe do të bllokojë gjithmonë sa ka mundësi me mbështetjen e Rusisë antarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.
Demonstrim pushteti dhe kulti i individit
Parada ushtarake më 10 Maj, në të cilën morën pjesë rreth 4.000 ushtarë e policë, e marshuan rreth 400 tanke e automjete si dhe 40 avionë luftarakë, ishte në thelb një demonstrim pushteti, që glorifikoi kreun e shtetit Aleksandar Vučić dhe tregoi, se ku ka arritur Serbia nën udhëheqjen e tij. Ajo s’kish të bënte me vlerat antifashiste, mbi të cilat bazohet BE-ja dhe as me kujtimin që i bëhet zakonisht ditës së fitores. Edhe logjika e brendshme e paradës ushtarake serbe, që synonte të demonstronte ushtrinë moderne serbe të bazuar tek armatimet ruse, nuk ka bazë.
Sipas kushtetutës serbe ushtria duhet të mbrojë integritetin territorial të Serbisë. Që Kosova nga këndvështrimi i serbëve përkohësisht është pushtuar “prej terroristëve shqiptarë”, në fakt sipas kushtetutës ajo do duhej të ndërhynte në Kosovë. Por meqënëse kjo as që nuk shtrohet, atëherë lind pyetja, përse armatoset Serbia – me armë ruse. Mos vallë ajo pret kohë më të mira?
Ndonëse në Serbi nuk mungon megallomania, largimi nga realiteti ka kufijtë e vet. Qëllimi i paradës ushtarake në Nish ishte, të glorifikonte një njeri, i cili është ngritur mbi parlamentin dhe qeverinë: Aleksandar Vučić. Popullit iu paraqit imazhi i një Serbie të fortë, të ripërtërirë ushtarakisht, me prestigj ndërkombëtar diku mes Perëndimit dhe Lindjes – bashkë me shpresën për një jetë më të mirë.
Gazetari serb Andrej Ivanji ka lindur në Beograd. Ai është redaktor i revistës serbe “Vreme” dhe korrespondent për gazetën gjermane taz dhe stacionin MDR./DW