Opozita zhvendoset te Kuvendi, molotov drejt godinës, gaz lotsjellës protestuesve
Përditësim drejtpërdrejt:
21:39 – Katër persona janë arrestuar momentalisht. Ata shihen nga policia si njerëz që kanë hedhur bomba molotov gjatë protestës së opozitës në drejtim të Kryeministrisë dhe Parlamentit.
21:33 – Një protestues shihet i shtrirë në tokë (foto), mesa duket është asfiksuar nga gazi lotsjellës që po lëshon vazhdimisht policia.
Ende nuk ka mbërritur ndonjë ambulancë për ti dhënë ndihmën e parë dhe për ta dërguar në urgjencën spitalore.
21:29 – Boshatiset zona përreth Parlamentit. Momentalisht nuk ka më njerëz para Parlamentit. Megjithatë në distancë pak më të largët, ndodhen disa protestues të cilët hedhin shashka, diku përreth rrethimit të xhamisë ende në ndërtim.
Protestuesit janë zhvendosur në kryqëzimin që të çon djathtas tek selia e PD.
Nuk dihet nëse do të rikthehen, por policia në pjesën anësore pas Parlamentit ka lëshuar gaz lotsjellës sërish.
21:26 – Në këto momente kanë dalë nga perimetri i sigurisë që kishin krijuar.
Është hera e parë që forcat policore dalin jashtë rrethimit të vendosur prej tyre.
Momentalisht ka konfrontim mes disa forcave speciale dhe protestuesish që janë afër tyre.
21:19 – Protestuesit e opozitës janë zhvendosur tek godina e seancave plenare të Kuvendit dhe momentalisht janë grumbulluar që të gjithë atje.
Situata është e tensionuar, raportojnë gazetarët e noa.al që gjenden mes tubuesve në terren.
Në këto momente janë hedhur një numër shishesh të llojit bomba molotov.
Ka një kundërpërgjigje të shpejtë nga policia e cila ka hedhur në seri, gaz lotsjellës.
Të pranishmit janë zhvendosur disa metra nga perimetri i godinës parlamentare.
Ndërkohë policia po hedh edhe ujë në drejtim të protestuesve.
Gazetarët e noa.al shikojnë mes protestuesve dhe disa fëmijë.
Aktualisht shumë njerëz janë duke vuajtur pasojat e gazit lotsjellës.
Raportohet një situatë e tensionuar ndërkohë që ka pushuar organizimi opozitar me muzikë, projeksion sloganesh në mure si dhe thirrje nxitëse për pjesëmarrje.
Në këto momente një numër protestuesish po largohen nga zona përreth Kuvendit.
Gazetarët e noa.al në terren thonë se momentalisht situata është e rënduar. Nuk ka përplasje fizike, por megjithatë disa protestues po përpiqen të krijojnë efekt sa më të madh pasojash proteste, duke hedhur tymues me ngjyrë blu, flakadanë, bomba molotov si dhe gurë e sende të rastit.
Policia po vazhdon të hedhë gaz lotsjellës sa herë njerëzit protestues afrohen përreth afërsisë së perimetrit të godinës së Parlamentit.
Fraksion.com