Militantët sulmojnë me molotov, Lleshaj: Askush nuk mund ta djegë Shqipërinë përsëri
Ka zgjatur vetëm një orë protesta e PD dhe LSI para Kryeministrisë, ndërsa i janë drejtuar Kuvendit.
Duke përshkuar rrugën “Ismail Qemali” nuk kanë munguar as konfrontiumet nga pas godinës së Këshillit të Ministrave.
***
Pas sulmit me bomba molotv ndaj policisë dhe godinave të Kryeministrisë e Kuvendit, ka reaguar edhe ministri Sandër Lleshaj.
Përmes Twitter, ministri i Punëve të Brendshme fton qytetarët të distancohen nga këto akte.
“Me Molotov nuk ndërtohet demokracia, por synohet të shkatërrohet Shqipëria. Por kjo gjë është e pamundur! Ftoj qytetarët e përgjegjshëm të distancohen nga sulmi ndaj institucioneve. Askush nuk mund ta djegë Shqipërinë përsëri!” – shkruan Lleshaj.
***
Në orën 19:15 janë shënuar aktet e para të dhunës para Kryeministrisë.
Militantë të opozitës kanë sulmuar me bomba molotov kordonin e Policisë dhe godinën e Këshillit të Ministrave dhe Kryesisë së Kuvendit.
Raportohet për disa policë të plagosur ndërsa kordoni i sigurisë është çarë.
Protestuesit kaluan kordonin e policisë dhe i’u afruan derës së kryeministrisë, ndërkohë që njëri prej tyre rrezikoi jetën, pasi afër tij u hodh një bombë molotov, e rrobat e tij morën flakë.
Policia reagoi e hodhi gaz lotsjellës, e turma u shpërnda. Situata e tensionuar vazhdon.
***
Ndërsa ka nisur protesta e opozitës, ndërtesa e Kryeministrisë duket se është blinduar nga forca të shumta policie.
Vetë militantët e PD kanë hedhur kapsolla dhe tymuese që në oborrin e selisë blu, nga ku nisën edhe marshimin.
Me thirrje “Rama Ik”, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” apo “Shqiptarët e bashkuar kanë për të fituar”, protestuesit e opozitës po zhvillojnë sot protestën e 4 kombëtare.
Shumë prej protestuesve janë të pajisur me kundra gaz.
Drejt kryeministrisë janë hedhur edhe flakadanë e bojë.
Siç shihet edhe në foto, qindra policë janë bërë gardh pas kangjella të hekurit të vendosura që prej mbrëmjes së shkuar.
Rreth 1500 efektivë të policisë janë angazhuar për ruajtjen e sigurisë./i.h