Leja për tubim skadon pas pak minutash, Basha i kërkon protestuesve të qëndrojnë
Në momentin më të tensionuar të protestës, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mbajti fjalën e tij para protestuesve, duke bërë thirrje që qëndresa të vazhdojë sepse siç tha ai, qeveria do të dorëzohet.
Basha pasi përmbylli fjalimin e tij, i kërkoi protestuesve që të mos largohen.
Thirrja e Bashës për të mos ikur, erdhi në momentet kur edhe pak minuta kanë mbetur nga skadimi i afatit të lejes për protestë që ka dhënë policia e
Tiranës, deri në 20.30.Duke iu kujtuar se ka 30 vite që shqiptarët bëjnë sakrifica për “Shqipërinë si gjithë Europë”, z.Basha vijoi:
“Kemi propozuar rrugëdalje politike, propozuam vetting-un në politikë, detyrat e qeverisë tranzitore, por bashkimi i Edi Ramës me krimin ka vetëm një përgjigje: të dhunojë shqiptarët. Kasapi i zgjedhjeve nuk do të mundet më të diktojë, zgjedhje me krimin nuk do të ketë më, armata e lirisë është ngritur në këmbë dhe bëhet gati që sot të bëjë realitet normën e parë të Shqipërisë Europiane, pronarë në shtëpinë tuaj jeni ju, jo krimi”, tha Basha.
Ai i bëri thirrje protestuesve që të mos konfrontohen me policinë, pasi, siç tha ai, edhe ata janë po aq të kërcënuar nga krimi.
“Mos cenoni efektivët e policisë”, iu bëri disa herë thirrje ai protestuesve. “Beteja jonë është me krimin dhe qeverinë e lidhur me krimin”.
Fraksion.com