Goditet trafiku i drogës Shqipëri-Itali; Në pranga dy trafikantët shqiptarë
Roja bregdetare italiane tha sot se bllokoi një gomone me rreth 400 kilogramë marijuanë duke arrestuar dy trafikantët shqiptarë që ndodheshin në bord. Sipas burimeve zyrtare italiane, operacioni i zhvilluar në brigjet e Leçes u mbështet nga mjetet ajrore dhe Roja Bregdetare Evropiane.
Sipas policisë italiane trafikantët shqiptarë u ndoqën në det nga mjetet e lundrimit dhe nga ajri, me gomonen super të shpejtë rreth 6 metër të gjatë dhe u detyruan të ankoroheshin në Portin e Otrantos.
Policia italiane tha se nëse droga do të shpërndahej në tregun kriminal rrjetet e trafikut do të përfitonin mbi 4 milionë euro.
Sipas të dhënave policore italiane vetëm këtë vit në këtë hapësirë detare janë bllokuar rreth 3 tonë marijuanë dhe janë arrestuar 70 persona për trafik ndërkombëtar të drogës. Italia është destinacioni kryesor i marijuanës që kultivohet në Shqipëri ndërsa sasi të mëdha marijuane transportohen edhe drejt kufirit tokësor grek.
Policia shqiptare tha sot se arriti në 13 numri i personave të arrestuar një ditë më parë për trafik droge me Greqinë, ndërkohë që pak ditë më parë po për këtë aktivitet kriminal u arrestuan edhe 14 persona të tjerë.
Fraksion.com