Shënjestra e atentatit në Vlorë i shpëtoi një atentati por humbi këmbën, zbulohet e kaluara
Personi i cili mendohet se ishte shënjestra e të shtënave me armë zjarri paraditen e sotme në zonën e Lungomares në Vlorë, është 27-vjeçari Inez Hajrulla.
Gjithçka pasi mes dy mjeteve u shkëmbye zjarr, duke bërë që nga të shtënat të mbetet i plagosur 58-vjeçari Dajko Cenodemaj, i cili ishte duke pirë kafe në një lokal aty pranë.
Pas të shtënave autorët e përplasjes me armë u larguan me mjetet e tyre në rrugicat e pallateve të zonës. Ndërkohë pak pas ngjarjes policia gjeti një makinë tip Land Rover të djegur në zonën e Babicës, e cila mendohet të jetë përdorur në një prej dy grupeve.
Po ashtu në zonën e Bunavisë u gjet një makinë tjetër e cila mendohet se i përket grupit tjetër.
Inez Hajrulla i ka shpëtuar një atentati në nëntor të vitit 2017, kur makina me të cilën udhëtonte u hodh në erë.
Kjo bëri që si pasojë e dëmtimeve të marra, i riu të humbë njërën këmbë. Ndërkohë në mjetin e të riut u gjet një pistoletë me 17 fishekë, në një çantë që kishte me vete Hajrulla, duke bërë që të arrestohet nga policia për armëmbajtje pa leje.
Mirëpo pak kohë më vonë ai u la i lirë, ku “inatet e vjetra” e vunë sërish në shënjestër.
Dyshohet se shkak për atentatet e përsëritura ndaj 27-vjeçarit, mund të jetë bërë ndonjë pazar i prishur droge. Ndërkohë në vitin 2016, Hajrulla është hetuar si i dyshuar edhe për djegien e makinës së një efektivi policie në Vlorë.
Sakaq Hajrulla është djali i një biznesmeni në Vlorë, i cili ka edhe një lokal.
27-vjeçari rezulton të jetë kushëri me Renato Imerin i cili u vra më 31 korrik të vitit 2017, pranë një lokali në zonën e Lungomares në Vlorë.
Po ashtu ai rezulton të jetë kushëri edhe i Endrit Çaushit, i vrarë në qytetin e Durrësit në vitin 2015.
Fraksion.com