AktualitetTë fundit

Nga bllokim i rrugëve, te goditja për shkak të detyrës; Ashpërsim i dënimeve në Kodin Penal

Përdorimi i armëve dhe lëndëve plasëse pa lejen e organeve përkatëse shtetërore, organizimi i lotarive të palejuara, bllokimi dhe pengimi i qarkullimit rrugor në tërësi, dhuna ndaj mjekëve, si dhe lufta kundër trafikimit të personave me fokus fëmijët, janë disa nga çështjet e përfshira për ndryshme në Kodin Penal.

Gjatë takimit konsultativ për ndryshimet në Kodin Penal, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj theksoi se “ajo që vihet re më shumë është marzhi i masës së dënimit që fillon nga zero dhe shkon deri në një nivel shumë të lartë, dhe kjo e bën që pastaj gjatë procesit të hetimit apo procesit penal, e bën të vështirë nganjëherë dhe ndonjëherë krijohen mundësi dhe hapësira për gjykime apo dhe masa penale të pa përshtatshme”.

Konkretisht, ministri tha se ndryshimi në nenin për “Organizimi i lotarive të pa lejuara”, në nenin ekzistues thuhet që organizimi i lotarive, lojërave të fatit apo bixhozit në kundërshtim me dispozitat ligjore përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose dënim me burg deri në tre muaj. Lidhur me këtë, Lleshaj tha se tashmë propozohet një ndryshim i cili thotë: “Organizimi dhe ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit, lotarive apo bixhozit në kundërshtim me ligjin, dënohen me burgim nga 1 deri në 3 vjet”.

“Po kjo vepër, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet në se në lojë marrin pjesë persona nën 18 vjeç”. Jo personat që marrin pjesë, por personat që organizojnë pjesëmarrjen e minorenëve në këtë fushë dënohet më ashpër”, nënvizoi ministri.

“Kur vepra penale kryhet nëpërmjet shfrytëzimit të funksionit shtetëror ose shërbimit publik, dënimi me burgim shtohet me 1/4 e asaj që ishte më sipër. Një tjetër kërkesë e po këtij neni: “Pjesëmarrja në lojërat e fatit që zhvillohen në kundërshtim me ligjin, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 1 vit”. Pra nuk dënohen vetëm organizuesit e lojërave të fatit, por parashikohet dënim edhe për pjesëmarrësit në to. Dënimi rëndohet nëse në këto veprimtari marrin pjesë persona nën moshën 18 vjeç”.

Duke u ndalur te neni për “Goditje për shkak të detyrës”, ministri tha se nga gjobë ose burgim deri në tre vjet”, me ndryshimet e propozuara është që: “Goditjet ose vepra të tjera dhune ndaj punonjësve që kryejnë kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore apo të shërbimit publik dënohen me burgim nga 1 deri në 3 vjet”.

Lleshaj sqaroi se ndryshimi i bërë është që gjoba është shndërruar në burgim deri në 1 vit, është rritur kufiri i poshtëm i dënimit, nga gjobë në 1 vit burgim, pjesa tjetër ka mbetur siç është.

“Kur kjo vepër kryhet ndaj personit të zgjedhur apo funksionarit publik për shkak të veprimtarisë së tij, dënohet me burgim nga 1 deri në 5 vjet. Kur kjo vepër kryhet ndaj punonjësit të policisë për shkak të veprimtarisë së tij dhe kur cilësitë e personit janë të dukshme ose të njohura, dënohet me burgim nga 1 deri në 5 vjet. Kur kjo vepër kryhet ndaj profesionistit të shëndetësor për shkak të veprimtarisë së tij dhe kur cilësitë e personit janë të dukshme ose të njohura, dënohet me burgim nga 1 deri në 5 vjet. Kur kjo vepër kryhet në mjediset e institucionit, ku personi ushtron detyrën shtetërore, funksionin publik apo shërbimin publik, dënohet me burgim nga 3 deri në 5 vjet”, deklaroi ministri.

Ashpërsime në Kodin Penal parashikohen edhe për sa i përket dhunës ndaj funksionarëve të tjerë apo ndaj personave që kryejnë shërbime publike, kryesisht mjekëve.

“Jemi të gjithë të ndërgjegjshëm që dhuna ndaj mjekëve në shpesh raste jo vetëm që është e papranueshme, e paarsyeshme, por nuk mund të lejohet, nuk mund të tolerohen raste, të cilat në mënyrë të përsëritur të adresojnë targetojnë mjekët ose personelin tjetër shëndetësor me pasoja të rëndësishme për mirëfunksionimin e shërbimit dhe jo në pak raste ka çuar edhe në situata të vështira dhe mjekët, personeli tjetër shëndetësor, ka refuzuar, ose ka vajtur në prag të refuzimit për të ofruar shërbimin pikërisht për shkak të kësaj gjendje që ka agravuar herë pas here”, deklaroi ministri.

Përsa i përket ndryshimit në nenin për “Kanosja për shkak të detyrës”, parashikohet që: “Kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë që i bëhet punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore ose të shërbimit dënohet me burgim deri në dy vjet. Pra, është hequr opsioni i gjobës dhe është lënë vetëm opsioni i dënimit deri në 2 vjet me burgim”.

“Kur kjo vepër kryhet ndaj personit të zgjedhur apo funksionarit publik, për shkak të veprimtarisë së tij, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Kur kjo vepër kryhet ndaj punonjësit të policisë për shkak të veprimtarisë së tij, kur cilësitë e personit janë të njohura ose të dukshme, dënohet me burgim nga dy deri në katër vjet. Kur kjo vepër kryhet ndaj profesionistit shëndetësor për shkak të veprimtarisë së tij, kur cilësitë e personit janë të njohura ose të dukshme, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet”, sqaroi ministri.

Nën nenin “Prishja e qetësisë publike”, shtohet një paragraf i dytë, si më poshtë: “Ushtrimi i veprimtarisë ekonomike që lëshon ose gjeneron zhurmë në mjedis, në kundërshtim me ligjin apo në tejkalim të normave të lejuara me ligj, kur është marrë më parë masa administrative, dënohet me gjobë nga njëqind mijë deri në një milion lekë ose me burgim deri në dy vjet”.

Edhe për sa i përket ndotjes së mjedisit dhe zhurmave, që shkaktojnë probleme të mëdha për qetësinë, rendin publik dhe normalitetin e jetesës së shumë qytetarëve propozohet ashpërsohet gjoba ndërsa propozohet edhe dënimi me burg në kushtet e përsëritjes dhe mosrespektimit të sanksioneve të mëparshme ose mosfunksionit të sanksioneve të mëparshme.

Për “Mbajtja e armëve, e armëve shpërthyese ose e lëndëve plasëse në automjete apo në çdo mjet tjetër të motorizuar, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun, pa lejen e organeve kompetente shtetërore” propozohet dënimi me burgim nga 5 deri në 7 vjet. Po kjo vepër, kur kryhet më shumë se një herë, ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga 7 deri në 15 vjet.

Ndërsa për “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, propozohet që “Vënia e pengesave ose ndalimi me çdo mjet e mënyrë i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor e ajror, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet.”

Ministri deklaroi se “ajo që është ndryshuar në këtë rast është vetëm lidhëza, nga “dhe” në “ose”. Neni ekzistues ishte “vendosja e pengesave dhe ndalimi”, ndërsa këtu thotë: “vendosja e pengesave ose ndalimi”. Pra është më shumë e karakterit teknik kjo dispozitë e propozuar”.

 

Fraksion.com