AktualitetTë fundit

KQZ regjistron koalicionin zgjedhor opozitar “Shpresa për Ndryshim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve regjistroi sot koalicionin “Shpresa për Ndryshim” (SHN), si subjekt pjesëmarrës në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të 30 qershorit.

Koalicioni opozitar “Shpresa për Ndryshim” i përbërë nga 7 parti politike do të garojë për zgjedhjet e 30 qershorit për 61 bashkitë e vendit.

Konkretisht në këtë koalicion bëjnë pjesë Partia Aleanca Kuq e Zi; Partia Bashkimi Liberal Demokrat; Partia Demokracia e Re Europiane; Partia Aleanca Popullore; Partia Balli Kombëtar; Partia e Emigracionit Shqiptar dhe Partia Ora e Shqipërisë.

Ndërkohë Partia Socialiste ka nënshkruar marrëveshjen për koalicionin Aleanca për Shqipërinë Europiane, në përbërje të së cilit janë 21 parti politike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e ditës së sotme shqyrtoi dhe miratoi projektvendimet për shpalljen e moszgjedhshmërisë së 8 kandidatëve në listat shumemërore të Partisë Demokratike.

Kështu KQZ vendosi të shpallë moszgjedhshmërinë e kandidatit të radhës në listën shumemërore të Partisë Demokratike, Qarku Vlorë, Florenc Spahiu.

Po ashtu, KQZ shpalli moszgjedhshmërinë e kandidatit të radhës në listën shumemërore të Partisë Demokratike, Qarku Dibër, Bashkim Murati.

Në qarkun e Fierit, KQZ vendosi shpalljen e moszgjedhshmërisë të 3 kandidatëve të radhës në listën shumemërore të Partisë Demokratike, Endri Jaupaj, Fogert Hoxha dhe Elvis Fisku.

KQZ vendosi shpalljen e moszgjedhshmërisë të kandidatit të radhës në listën shumemërore të Partisë Demokratike, Qarku Tiranë, Muharrem Doda.

Po ashtu KQZ, shpalli moszgjedhshmërinë e kandidatëve të radhës në listën shumemërore të Partisë Demokratike, Qarku Elbasan, Loren Gllovina dhe Xhaferr Dushku.

 

Fraksion.com