AktualitetEkonomiTë fundit

Fitimet e sistemit bankar rriten me 4% në tremujorin e parë 2019

Fitimi i sistemit bankar në tre muajt e parë të vitit 2019 arriti në 5 miliardë lekë, sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, që i raporton fitimet sipas standardeve lokale. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, fitimi ka shënuar një rritje të lehtë prej 4%.

Niveli më i lartë i fitimeve të sistemit ishte regjistruar në tremujorin e parë 2015, prej gati 5.9 miliaradë lekë.

Në total, të ardhurat bruto u rritën me 35, si rrjedhojë e kthimit në pozitive të të ardhurave nga  instrumentat financiarë (+454 milionë lekë, nga -3.9 miliardë lekë që ishin humbjet në të njëjtën periudhë të viti ttë kaluar), që lidhet kryesisht me kursin e këmbimit.

Ndërsa të ardhurat neto nga interesat kanë rënë me 6%, duke reflektuar mjedisin me norma të ulëta të interesit.

Shpenzimet u ritën me ritme më të ulëta se të ardhurat, çka çoi në rritjen e lehtë të fitimeve. Rritja e shpenzimeve erdhi si rrjedhojë e rritjes sërish të provigjioneve neto (paratë që bankat lënë mënjanë për kreditë me probleme), që ishin +533 milionë lekë, nga -3.2 miliardë lekë në të njëjtin tremujor të një viti më parë. Në tre muajt e parë të vitit, huatë me probleme kanë shënuar sërish rritje, nga 11.08% në dhjetor në 11.38% në mars, duke rënduar sërish shpenzimet e bankave.

Rritja e lehtë e fitimeve ka përmirësuar treguesit e rentabilitetit. Kthyeshmëria nga kapitali në mars 2019 ishte 13.6%, nga 13.1% në mars të një viti më parë, ndërsa kthyeshmëria nga aktivet ishte 1.5%, nga 1.41% në mars 2018.

Bankierët kanë pohuar se ambienti me norma të ulëta interesit mund të ushtrojë presion për rënien e fitimeve të bankave.

“Marzhet e ulëta të interesit po krijojnë rrezik për rritjen e qëndrueshme dhe shëndetin e sektorit financiar”, pohon z. Seyhan Pencabligil, CEO i BKT. Për më tepër, shton ai, kufizimet e fundit rregullatore, si Basel, IFRS 9 etj., kërkojnë më shumë kapital, duke shtuar në këtë mënyrë, një tjetër faktor negativ për shkak të rritjes së kostove për bankat.

Silvio Pedrazzi, CEO i Intesa Sanpaolo Bank Albania pohon se sfida kryesore e këtij viti është niveli tepër i ulët i normave të interesit, që gjenerojnë potencialisht më pak të ardhura, në mungesë të një tregu më të zhvilluar financiar, krahasuar me shtetet e tjera të Europës, ku bankat janë mjaft aktive, si p.sh. fondet e menaxhimit të aktiveve./Monitor

 

Fraksion.com