AktualitetTë fundit

Aksi Elbasan-Banjë: Përfitojnë shtatë fshatra; Loti 3, drejt përfundimit

Punimet në lotin numër 3 të segmentit rrugor Elbasan-Banjë janë drejt përfundimit dhe shumë shpejt banorët e shtatë fshatrave që përfshinë ky aks do të kenë një rrugë me standarde europiane.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato ka inspektuar nga afër ecurinë e punimeve.

“Ky objekt përbëhet nga vepra arti të mëdha që është ky vijadukti me gjatësi 258 metra dhe ura e Sulovës me gjatësi 244 metra. Siç e shohim këtu punimet e nënstrukturës dhe të mbi strukturës deri në shtresën e asfaltit kanë përfunduar. Pjesa tjetër, nga ura e Sulovës deri në urën e Mollasit, ka përfunduar shtresa e binderit totalisht, mbeten pa u përfunduar vetëm shtresat asfaltike, shtresa asfalto-betonit edhe punimet e sinjalistikës dhe ndriçimit rrugor në zonat e banuara”, bëri të ditur inxhinieri i ARRSH-së.

Nga ana e saj, drejtoresha Qato tha se vlera e investimit është 1.3 miliardë lekë, të akorduara nga Buxheti i Shtetit dhe se punimet pritet të përfundojnë brenda afatit të parashikuar. “Bëhet fjalë për një investim në masën 1.3 miliardë lekë nga ana e Buxhetit të Shtetit në të cilin parashikohet ndërtimi i 8.5 kilometrave rrugë, pjesë e ndërtimit do jenë ndërtimi i dy vijadukteve përgjatë gjithë këtij segmenti i cili lidh fshatin Gostinë me fshatin Mollas dhe ky është një investim të cilin kompania së fundmi është duke ecur me ritme të mira dhe ne pretendojmë që ta përfundojmë brenda afateve”, tha Qato.

Ministrja Belinda Balluku u shpreh se aksi në fjalë është i rëndësishëm pasi lidh shtatë fshatra duke theksuar se ndërtimi i këtij segmenti është pjesë e strategjisë së qeverisë për të krijuar një rrjet rrugor i cili lidh në mënyrë më të shpejtë dhe më të shkurtër komunitetet.

“Shpresoj shumë që kjo rrugë të përfundojë sa më shpejt pasi është e rëndësishme në koneksionin që i bën shtatë komuniteteve nga Gostina deri në Mollas. Kemi shtatë fshatra të cilat lidhen dhe sigurisht kjo rrugë çon dhe në Kuçovë kështu që në kuadër të strategjisë së qeverisë shqiptare për të krijuar një rrjet rrugor i cili konekton, lidh komunitetet në mënyrën më të shpejtë dhe më të shkurtër, ky është një projekt që e jetëson këtë premtim të qeverisë dhe shpresojmë që të mbarojë sa më shpejt dhe të dorëzohet sa më shpejt të jetë e mundur”, u shpreh Balluku.

Aksi në fjalë ka një gjatësi prej 8.5 kilometra dhe deri më tani kanë përfunduar 82 përqind e punimeve.

Fraksion.com