AktualitetTë fundit

Soreca: Të dëgjohet zëri i të rinjve shqiptarë në procesin e integrimit

Në kuadër të Ditës së Europës, në Tiranë u organizua sot një aktivitet i konceptuar si një shkëmbim mendimesh mes ambasadorëve të shteteve anëtare të BE-së dhe të rinjve shqiptarë.

“Ne duam që zëri i të rinjve shqiptarë të dëgjohet në procesin e integrimit në Bashkimin Europian”, deklaroi sot ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca.

Kontributi i rinisë në integrimin europian të Shqipërisë ishte në fokus të kësaj bisede, ku u diskutuan shpresat, shqetësimet, aktivizimi dhe angazhimi publik i të rinjve.

“Ne duam të dëgjojmë mendimet tuaja për BE-në, për integrimin në BE, por të dëgjojmë edhe se si ju mund të jepni kontributin tuaj që Shqipëria të bëhet një vend më i mirë. Një nga mesazhet që duam të sjellim gjatë Javës së Europës është që të sigurohemi që jo vetëm nevojat tuaja elementare kanë kujdesin e duhur si arsimi dhe punësimi, por edhe që zëri juaj të dëgjohet”, tha Soreca.

Ambasadori i BE-së tha po ashtu se “objektivi i kësaj jave ka qenë që ne të lançonim një proces në fushën e zhvillimit të ekonomisë dhe arsimit në ato hapësira ku çështjet e rinisë bëhen pjesë e politikbërjes kryesore të një vendi”.

“Ne duhet të flasim me autoritetet në Shqipëri për këtë gjë. E kemi bërë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë. Objektivi është që çështjet e të rinjve të bëhen pjesë e poltikbërjes. Ne nuk duam të jemi një filtër mes jush dhe institucioneve, thejsht duam të mbështesim atë strukturë që ju duhet juve, që zëri juaj dëgjohet”, tha Soreca.

Integrimi europian, sipas ambasadorit Soreca, është në veçanti për të rinjtë, sepse ju jeni jo vetëm e tashmja, por edhe e ardhmja e Shqipërisë dhe jeni qytetarët e ardhshëm të BE-së.

Soreca tha se “BE sapo ka lançuar një strategji të re për rininë, që ne duam ta vëmë në zbatim edhe në Shqipëri”.

 

Fraksion.com