AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Kemi bërë detyrat; Presim nga BE-ja hapjen e negociatave

Kryeministri Edi Rama, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Federica Mogherinin, përfaqësuesen e lartë për politikë të Jashtme në BE, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Tiranë, deklaroi se “nga Komisioni Europian presim që të na thonë që i kemi kryer të gjitha detyrat e shtëpisë dhe të çelen negociatat”.

“Ne presim vetëm një përgjigje nga Komisioni Europian, përgjigjen se i kemi kryer plotësisht detyrat e shtëpisë dhe meritojmë çeljen e negociatave për anëtarësim”,  deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Rama vlerësoi fillimisht vëmendjen dhe mbështetjen e vazhdueshme që ajo i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

“Folëm për tërësinë e reformave të ndërmarra, për pritshmëritë tona në vigjilje të daljes së raportit të progresit të KE-së si dhe për ecurinë e mëtejshme të të gjitha çështjeve në funksion të thellimit të reformave dhe transformimit të gjithë aspekteve të tjera të vendit, falë reformave”, – tha Rama.

Duke nënvizuar se Shqipëria e meriton çeljen e negociatave për anëtarësim, Rama tha se “natyrisht që e kemi këtë pritshmëri të bazuar, jo sepse mendojmë se dikush duhet të na dhurojë diçka, por sepse i kemi kryer të gjitha detyrat, dhe Shqipëria flet me gjuhën e rezultateve mbi të cilat duhet edhe të gjykohet”.

“Nuk do të marr kohë të bëj një listë të prioriteteve dhe rezultateve përkatëse në raport me prioritetet, as për të nënvizuar ecurinë e Reformës në Drejtësi dhe rezultatet e saj të prekshme, por dua ta nënvizoj edhe njëherë atë që i shpreha Përfaqësueses së Lartë të BE-së se, ne jemi të vetëdijshëm që në fund të ditës nxitimi dhe vendimi final mbi rekomandimin e KE-së do të varet nga rrethanat specifike në vendet anëtare”, – tha Rama.

Kryeministri u shpreh i vetëdijshëm se vendimmarrjet për ne në nivelin e vendeve anëtare varen nga ne, po aq sa varen edhe nga faktorë jashtë nesh.

Por, tha Rama, “besojmë shumë që është koha për t’i dhënë fund një përpjekje për një fazë siç është faza e përgatitjes së negociatave dhe për t’i filluar zyrtarisht negociatat”.

“Falë rezultateve të pamohueshme të vitit të shkuar na u dha mundësia të fillojmë punën për procesin screening, kështu që nuk kemi humbur kohë në raport me procesin teknik në vetvete, por çelja zyrtarisht e negociatave do të na ndihmojë të vazhdojmë të ndërtojmë rrugën tonë europiane”, – tha Rama.

Kryeministri tha se “temë e bisedimeve ishte edhe Samiti i Berlinit, sfidat e bashkëpunimit, ndërveprimi rajonal, procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si pjesë e patjetërsueshme e axhendës së përparimit të rajonit në rrugën e integrimit europian dhe rajonal”.

Kryeministri shprehu vetëdijen se “ne e dimë shumë mirë që gjithçka kemi bërë, mjafton për të çelur negociatat”.

 

Fraksion.com