Mbërrin në Rinas arkivoli me trupin e nëntetares Zarife Hasanaj
Trupi i pajetë i Dëshmores së Atdheut, nëntetare Zarife Hasanaj, e cila ra në krye të detyrës gjatë misionit të NATO në Letoni, mbërriti në atdhe.
Arkivoli me trupin e nëntetare Hasanajt, i mbuluar me Flamurin Kombëtar, u transportua me avion ushtarak nga Letonia dhe shoqërohej nga kolegët e saj shqiptarë, kanadezë dhe letonezë të grup-batalionit të NATO-s.
Për të pritur trupin e nëntetares Hasanaj, në Aeroportin “Nënë Tereza” dolën ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, zëvendësministri Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, deputetë të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, atashetë e huaj ushtarakë në vendin tonë, kolegë ushtarakë nga të gjitha forcat, si dhe familjarët e dëshmores së atdheut.
Pas pritjes me nderim ushtarake në aeroport, trupi i pajetë i nëntetare Hasanajt u dërgua për në banesën e saj, për të vijuar me ritet tradicionale familjare.
Homazhet për dëshmoren e atdheut dhe më pas ceremonia shtetërore, do të zhvillohen ditën e premte në Pallatin e Kongreseve nga ora 10:00 – 12:30.
Pas kryerjes së homazheve dhe ceremonisë shtetërore, nëntetare Hasanajt do t’i jepet lamtumira e fundit në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku do të prehet përjetësisht.
Fraksion.com