Manovra më e re e Lulzim Bashës për të mbajtur kryebashkiakët brenda PD-së
Nga Ylli Pata
Lulzim Basha zbuloi një tjetër lëvizje për të mbajtur bazën të karikuar në ato vende ku Partia Demokratike kontrollon pushtetin vendor.
Kjo, pasi krerët vendorë i kanë deklaruar Bashës se nëse PD nuk merr pjesë në zgjedhje atëherë kjo do të dekurajonte mbështetësit që janë të punësuar në strukturat lokale.
Madje disa krerë të bashkive i kanë bërë të ditur Bashës se nëse PD humb drejtimin e këtyre strukturave vendore, atëherë nuk do të sigurohen dot njerëz për të marrë pjesë në protestat dhe tubimet e opozitës.
Pikërisht kjo situatë që ka sjellë ultimatumin e kryebashkiakëve që nuk duan të lëshojnë vendin e tyre, ka detyruar Bashën që të lëshojë një tjetër “xhevahir” politik.
Gjatë takimit që ka mbajtur me strukturat e PD-së për Vaun e Dejës, Basha tha: “Bashkinë e Vaut të Dejës ne nuk do ta dorëzojmë kurrë, kurrë.
Zef Hila nuk e dorëzon asnjëherë Bashkinë”.
Këtë deklaratë Lulzim Basha e ka bërë pikërisht pas frazës tashmë të njohur që “zgjedhjet e 30 qershorit nuk do të zhvillohen dhe se PD po punon që vendoret të zhvillohen në një ditë me votimet për Parlamentin e ri”.
Ky qëndrim përbën një zhvillim të ri, që padyshim do të hapë debat tjetër këto ditë dhe që synon të mbajë të karikuar zgjedhësit e PD-së, që të mos shkojnë drejt partive të tjera të së djathtës, që janë rregjistruar si subjekte elektorale në KQZ.
Por a mundet të ndodhë kjo që thotë Basha, nëse në votimet e 30 qershorit, zgjedhësit votojnë për një kandidat të caktuar politik?
Përshembull, në Kamëz ose në Shkodër, që janë bastione të PD-s, nëse votuesit zgjedhin një kryebashkiak tjetër nga Voltana Ademi apo Xhelal Mziu, mundet që administrata aktuale të ndalojë rrotacionin dhe të qëndrojë dhunshëm në detyrë edhe pas konstituimit të pushtetit të ri?
Padyshim që ky është një zhvillim politik i pamundur, por kreu i PD-së duket se këtë mënyrë ka gjetur për të mbajtur në karikim si militantët, por edhe kryetarët aktualë, që të mos kandidojnë për subjekte të tjera më 30 qershor, siç është folur gjithnjë e më shumë këto ditë.
Dhe këtë qëndrim Basha e mbrojti duke u bërë të ditur se ai do të arrijë të realizojë që të bëjë një marrëveshje që do të sigurojë zhvillimin e zgjedhjeve vendore në një ditë me zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Por kryeministri Edi Rama e përforcoi edhe në konferencën e shtypit me shefen e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini, se nuk do të ketë zgjidhje jashtë sistemit, pasi sipas tij, ato kanë rezultuar të padobishme.
“Kush do të rrijë jashtë sistemit, zgjedhje e tij, por ne nuk do të bëjmë zgjidhje jashtë tij”, tha Rama me Mogherinin në krah, deklaratë që nuk u kundërshtua nga zyrtarja e lartë e BE-së, çka dha të kuptojë se nuk do të ketë ndonjë kontestim ndërkombëtar.
Por Basha duket se kërkon që të sigurojë një mos tradhtim nga krerët e bashkive, të paktën deri më 30 qershor, kur ai pret një sinjal politik nga votuesit që të mos dalin në zjgedhje, çka do e përdorë për të matur atë që do ta quajë sinjal për legjitimimin e pushtetit të ri të zgjedhur.
Fraksion.com