AktualitetBota+Të fundit

Këtë javë, bisedime tregtare SHBA-Kinë në Uashington

Zëvendëskryeministri kinez Liu He arrin këtë javë në Uashington për bisedime tregtare, pas deklaratave të Shteteve të Bashkuara se janë gati të rrisin tarifat për mallrat kineze gjatë vizitës së tij.

Të premten, Shtetet e Bashkuara do të rrisin tarifat nga 10 në 25 për qind për importe kineze me vlerë 200 miliardë dollarë, sipas një njoftimi të botuar të mërkurën në Regjistrin Federal nga zyra e përfaqësuesit amerikan të tregtisë.

Rritja e tarifave hyn në fuqi në ditën e dytë të vizitës së zotit Liu, por kjo nuk i ul shpresat për një marrëveshje, të paktën në mendjen e Presidentit Donald Trump.

“Kina sapo na informoi se ata (Zëvendëskryeministri) po vijnë në SHBA për të bërë një marrëveshje,” tha zoti Trump në Twitter të mërkurën.

Ai tha se do të ishte “i kënaqur” t’i mbante në fuqi tarifat ndaj importeve kineze dhe shtoi se Pekini gabohet nëse shpreson të negociojë më vonë për tregtinë me një administratë demokrate.

Presidenti Trump e vendosi afatin e ri të së premtes për rritjen e tarifave pas akuzave amerikane ndaj Kinës se ajo ishte tërhequr nga angazhimet e bëra gjatë disa muajsh bisedimesh për çështjet tregtare. Administrata shpreson se tarifat e reja do ta detyrojnë Pekinin të bëjë ndryshime në praktikat e tregtisë, subvencioneve dhe pronësisë intelektuale.

Të dy palët nuk kanë mundur të arrijnë marrëveshje, pjesërisht, për shkak të dallimeve në lidhje me zbatimin e saj dhe të afatit kohor për heqjen e tarifave.

 

Fraksion.com