AktualitetPolitikëTë fundit

Ambasadori britanik: Kriza zgjidhet vetëm me pjesëmarrje në zgjedhje

Ambasadori britanik Duncan Norman i pranishëm sot në Shkodër, në një prononcim për “BalkanWeb” është ndalur gjerë e gjatë te situata politike në vend dhe te zgjedhjet lokale të parashikuar në datën 30 qershor. Në fjalën e tij, Dunkan tha që zgjedhjet mund të realizohen në datën 30 qershor, por që mbetet e rëndësishme që palët të marrin pjesë dhe zgjedhjet të jenë demokratike.

Keni zhvilluar disa takime në Shkodër, cila është arsyeja?

Gjithmonë më pëlqen të kthehem në Shkodër, është një nga qytetet e para që kam vizituar që në 2016-ën, kam jetuar në Shkodër për një muaj ku kam mësuar gjuhën shqipe. Veriu i Shqipërisë është shumë i rëndësishëm për Mbretërinë e Bashkuar për shkak të lidhjeve mes dy vendeve. Seria e takimeve në Shkodër kishte të bënte me situatën si atë politike por edhe luftën ndaj krimit të organizuar.

 Çfarë ju shqetëson?

Një nga shqetësimet e mia sa i përket situatës politike, është i njëjti me atë që kanë shumë qytetarë që jetojnë në Shqipëri. Jemi duke parë një situatë delikate politike dhe që kërkon që të gjitha palët si opozita edhe qeveria të ulen në një tryezë dialogu. Lufta ndaj krimit të organizuar është një çështje që na shqetëson të gjithëve ne. Isha këtu në Shkodër për të dëgjuar disa nga sukseset e fundit të policisë por edhe çfarë mbetet për t’u bërë. Disa nga sukseset që ka patur në këtë fushë është edhe vendimi për burgimin e Klemend Balilit.

 Cila mund të jetë zgjidhja për krizën politike dhe a mund të ketë zgjedhje me 30 qershor?

Zgjidhja për krizën politikë është në fakt që të dyja palët të bisedojnë me njëra-tjetrën dhe çdo zgjidhje patjetër që mund të vijë vetëm përmes dialogut. Sa i përket zgjedhjeve me 30 qershor mendoj që teknikisht mund të realizohen në datën e caktuar por është e rëndësishme që të jenë demokratike dhe kjo do të thotë se të gjitha palët të marrin pjesë në zgjedhje.

Mund të bëhen pa opozitën nëse opozita nuk futet në zgjedhjet e 30 qershorit?

Teknikisht them se po mund të bëhen por në fakt zgjedhjet në çdo vend duhet që të jenë një proces demokratik dhe duhet t’i japin mundësi qytetarëve të zgjedhin mes alternativave ndërsa teknikisht natyrisht që mund të bëhen zgjedhje pa opozitën por nëse kjo do ishte një gjë e mirë apo jo mbetet për t’u parë. Folët për suksese sa i përket luftës ndaj krimit të organizuar, ju shqetëson fakti i bandave kriminale apo politikës në disa segment të saj të kapur nga krimi ose institucioneve të ndryshme? Policia ka patur një numër operacionesh të suksesshme në të gjithë Shqipërinë në luftën kundër krimit të organizuar dhe kjo ka çuar në një numër arrestimesh të rëndësishme dhe siç pamë edhe ditët e fundit edhe në dënime të rëndësishme si ai i Balilit. Por sigurisht mbetet akoma shumë për t’u bërë dhe kjo është arsyeja pse qeveria britanike punon me atë shqiptare për ta luftuar krimin e organizuar të dyja bashkë.

Ka një problem lidhur me veriun e Shqipërisë për shkak të emigrimit që vijon drejt Mbretërisë së Bashkuar?

Ka një histori të gjatë emigrimi të qytetarëve nga veriu në Britani dhe disa nga këto raste janë shumë pozitive për Mbretërinë e Bashkuar dhe disa raste kanë qenë më pak pozitive se të tjerat por ajo që është e rëndësishme të shohim është që qytetarët e Shqipërisë të kenë një të ardhme të lumtur dhe të kënaqshme këtu në vendin e tyre.

 

Fraksion.com