AktualitetKosovaTë fundit

Haradinaj: SHBA-ja dhe BE-ja gabojnë kur e ndërlidhin taksën me dialogun

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkoi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian që të mos e ndërlidhin vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë me shfuqizimin e taksës doganore, të cilën Qeveria e Kosovës ua ka vënë importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

“Është gabim pozicioni, edhe i Uashingtonit, edhe i evropianëve, edhe i Berlinit, edhe i Parisit, t’ia pranojnë kushtin Serbisë, heqjen e tarifës, për të vazhduar dialogun”, tha kryeministri Haradinaj.

Këto komente ai i bëri në tryezën e diskutimit me shoqërinë civile në Prishtinë, me temën “Dialogu Kosovë – Serbi pas takimit të Berlinit”, të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës.

“Koha na ka kushtuar të dyja palëve. Njëzet vjet kanë kaluar që nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe ne nuk kemi interes që të hapim sërish çështjen e Kosovës së 17 shkurtit [v.j. ditës së shpalljes së pavarësisë], se këtë Kosovë të 17 shkurtit e ka mbyllur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”, tha Haradinaj, duke përjashtuar çdo mundësi që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të shtrihet edhe në çështjen e kufirit dhe sovranitetit të Kosovës.

“Kosova është shtëpi e të gjithëve dhe është mirë që debati dhe temat të kalojnë nganjëherë në tavolinën tuaj dhe jo vetëm në tonën, si të partive ose vetëm të institucioneve”, tha kryeministri Haradinaj.

Në debat mori pjesë edhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert Lebet, i cili tha se Samiti i Berlinit ka konfirmuar rëndësinë që palët të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjore, me qëllim që të arrihet normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai e komentoi edhe idenë e lansuar qysh vitin e kaluar nga protagonistët e dialogut Kosovë – Serbi për ndryshim apo korrigjim të kufirit, të cilën e cilësoi si joadekuate.

“Ndryshimi i kufijve nuk funksionon dhe as nuk ka funksionuar kurrë në histori”, tha ambasadori zviceran, sipas të cilit, nëse lëvizin kufijtë, arsyet e konfliktit nuk do të thotë se do të zgjidhen.

Tryeza e sotme pasoiSamitin e Berlinit, të mbajtur më 29 prill, ku kancelaria gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, morën dakordimin e Prishtinës dhe Beogradit për vazhdimin e dialogut në Paris, më 1 korrik.

 

Fraksion.com