AktualitetBota+Të fundit

Gazeta: Trump përfitoi nga humbjet e biznesit për të shmangur taksat

Mes viteve 1985 dhe 1994 bizneset e Donald Trump-it kanë pësuar një humbje prej më shumë se 1 miliardë dollarësh, duke i mundësuar presidentit të ardhshëm të shmangë pagesën e taksave federale për tetë prej këtyre 10 viteve, thuhej në një artikull të publikuar të martën nga gazeta “New York Times”. Zoti Trump e cilëson veten si një sipërmarrës i suksesshëm dhe ekspert i marrëveshjeve të biznesit.

Por ai ka humbur vit pas viti edhe më shumë para krahasuar me çdo taksapagues tjetër amerikan, sipas gazetës.

Pjesa më e madhe e humbjeve të zotit Trump gjatë asaj periudhe vinte nga bizneset e tij kryesore, përfshirë hotelet, kazinotë dhe hapësirat e shitjeve me pakicë brenda komplekseve të banimit.

Në to përfshiheshin gjithashtu investimi i dështuar për një linjë ajrore, një ekip futbolli profesionist apo planet e papërfunduara në fushën e pasurive të paluajtshme.

Sipas “New York Times”, zoti Trump qe në gjendje të ruante një jetë luksoze gjatë gjithë këtyre viteve pasi shumica e parave të tij vinin nga bankat dhe mbajtësit e obligacioneve që kishin investuar në perandorinë Trump. Ai mbështetej edhe tek pasuria e babait të tij.

Por duket se zoti Trump nuk ka thyer ndonjë ligj federal, sepse sistemi amerikan i taksave u mundëson njerëzve të përftojnë zbritje në detyrimet tatimore kur bizneset e tyre pësojnë humbje.

Presidenti postoi një seri tweetesh të mërkurën duke e quajtur artikullin “një lajm tejet të pasaktë e të jashtëligjshëm!”

Sipërmarrësit e pasurive të paluajtshme në vitet 1980 dhe 1990, më shumë se 30 vite më parë, gëzonin të drejtën e uljeve masive nga taksat dhe përftimeve prej zhvleftësimit të pronës. Pjesa më e madhe nuk ishte përfitim në para, por përfitonin atë që quhej “strehë tatimore” (një marrëveshje financiare e bërë për të shmangur ose minimizuar taksat). Kjo mundësohej duke ndërtuar apo blerë prona. Duhet gjithmonë t’i bënim të ditura humbjet për qëllime tatimore … pothuajse të gjithë sipërmarrësit në fushën e pasurive të patundshme e kanë bërë këtë dhe shpesh rinegocionin me bankat”, shkruan zoti Trump.

Një nga avokatët e presidentit, Charles Harder, i tha gazetës se informacioni tatimor që kishte përdorur për artikullin ishte “qartësisht i rremë”.

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve po përpiqen të shtien në dorë deklaratat tatimore të zotit Trump prej vitit 2013 deri në vitin 2018, si pjesë e një hetimi që po kryejnë rreth marrëveshjeve të biznesit të huaj të presidentit.

Por sekretari për Thesarin Stiven Mnuchin, deri tani nuk ka pranuar t’u japë demokratëve informacionin e kërkuar, duke thënë se kërkesa nuk ka “qëllim ligjor legjitim”./VOA

 

Fraksion.com