AktualitetTë fundit

Arrestimi një ditë më parë, nesër del para gjykatës, Balliu: Jam dhunuar nga policia

I arretuar një ditë më parë, ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu akuzon policinë për dhunë gjatë shoqërimit për në komisariatin nr. 6 pas protestës te Astiri, ku u vendos në krahë të banorëve që u përplasën me policinë, për të mos lejuar kalimin e eskortës së kryeminstrit Rama.

Balliu madje ka kërkuar kryerjen e një akt ekspertimi për dhunën, të realizuar tashmë nga mjekët ligjorë, të cilët edhe kanë përpiluar një raport dhe ia kanë dërguar prokurorisë.

Balliu akuzohet për veprat penale “kundërshtim me dhunë ndaj punonjësve të policisë”, “prishje e qetësisë publike” dhe “pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Ish- deputeti Balliu së bashku me 3 të arrestuarit e tjerë pritet të dalin para gjykatës ditën e enjte për tu njohur me masën e sigurisë.

Pas arrestimit banorët e unazës bllokuan rrugën para drejtorisë së policisë së Tiranës, për të protestuar kundër arrestimit të tyre.

Përplasja mes banorëve të unazës së re dhe policisë nisi të martën paradite, ku për disa orë pati konfrontime të forta. Siç u njoftua dhe zyrtarisht nga policia e shtetit, 4 efektivë kanë marrë plagë gjatë përplasjeve dhe janë dërguar për mjekim në spital, por lëndime ka pasur dhe në radhët e banorëve të Unazës së Re.

 

Fraksion.com