Tabaku: FMN si opozita, shprehu shqetësim për rritjen e borxhit publik
Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi sot se “Fondi Monetar Ndërkombëtar ndan të njëjtin shqetësim me opozitën se rritja e borxhit publik, ulja selektive e taksave për bizneset e disa oligarkëve dhe PPP-të korruptive kanë dobësuar ekonominë, duke ndikuar për keq në çdo familje që nuk është në biznes me qeverinë”.
Në një deklaratë për shtyp Tabaku u shpreh se “në mënyrë të përsëritur Partia Demokratike ka faktuar se në qeverinë Rama rritja ekonomike është në mëshirën e reshjeve të shiut”.
“Këtë konfirmoi edhe FMN-ja, e cila parashikon këtë vit rënie të ekonomisë për shkak të thatësirës. Borxhi i lartë publik është një faktor në dobësimin e ekonomisë dhe po ndiqet me shqetësim si nga Fondi, ashtu edhe nga opozita. Që në fillim ne kemi ngritur zërin se përdorimi i keq i borxhit të ri të marrë nga qeveria në investime pa ndikim pozitiv në ekonomi, si dhe mungesa e investimeve të huaja të reja, janë bërë pengesë për rritjen ekonomike”, – nënvizoi Tabaku.
Sipas saj, me një borxh ekonomik në kufijtë e 70% të PBB-së, FMN i tërheq vëmendjen qeverisë se ka shteruar pothuajse çdo mundësi tjetër për të marrë borxh.
“Në mungesë të investimeve të reja, me paaftësinë dhe vendimet korruptive, qeveria e ka çuar ekonominë e vendit në një udhëkryq të rrezikshëm. Detyrimi i prapambetur prej 300 milionë euro, që qeveria i ka biznesit sot, është një nga pikat e dobëta, që ndikon për keq në ekonomi”-, tha Tabaku.
Ish-deputetja e PD-së u shpreh se “Partia Demokratike është vendosur ta vazhdojë këtë betejë dhe ta çojë deri në fund. Alternativa jonë për shqiptarët është konkurencë e lira, mundësi të barabarta për të gjithë, duke aplikuar taksa të ulëta dhe duke krijuar një klimë miqësore për biznesin”.
Fraksion.com